Berisha më i mirë se Marchetti, ja statistikat

Udhëtimin e Bolognas, portën e Lazios do ta mbrojë sërish Etrit Berisha, i cili do të mbulojë katërkëndëshin bardhekaltër për të katërtën ndeshje rresht.
Për shkak të lëndimit të Marchettit, gardiani kuqezi ka fituar minuta të vlefshme, por mungesa e italianit nuk e bën me dhimbje koke trajnerin Pioli.
Edhe pse Marchetti është titullar në bllokun e shënimeve të trajnerit, Berisha ofron një rendiment më të mirë dhe këtë e nënvizojnë edhe mediat pranë skuadrës romane.
Sipas “La Lazio Siamo Noi”, kur luan Berisha, skuadra arrin të shfaqet më mirë dhe këtë e thonë statistikat.
Në 16 ndeshjet e luajtura nga Marchetti, Lazio numëron 1.13 pikë për ndeshje me 22 gola të pësuar, 1.38 për çdo takim me një total prej 8 humbjesh, 3 barazimesh dhe 5 fitoresh.
Në krahun tjetër, Berisha numëron 15 sfida me 2.2 pikë për ndeshje, 17 gola të pësuar me 10 fitore, 3 barazime dhe 2 humbje. Në vijim të analizës, “La Lazio Siamo Noi” shton se gafa e bërë në Firenze e penalizon portierin shqiptar tek i cili klubi vazhdon të mos besojë plotësisht. “Berisha jep maksimumin kur luan titullar si me Kombëtaren ashtu edhe me Lazion. Ai dëshiron më shumë hapësira pasi do të luajë edhe në Euro 2016 me Shqipërinë dhe po studion mundësinë e një largimi të mundshëm”, shton faqja e specializuar që e lidh të ardhmen e portierit prishtinas me atë të marrëveshjes së mundshme të Lazios me gardianin kroat, Lovre Kalinic.