Fundamenti

Berisha: Mbreti Zog, djaloshi zemër zjarr!

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ashtu siç ka bërë gjatë kësaj periudhe, ka ngritur në piedestal figurën e Ahmet zogut, gjatë përurimit të bustit të tij. Berisha ka thënë se Zogu ka vënë themelet e shtetit shqiptar, duke pohuar se ishte i pari që ka organizuar zgjedhje të lira në Shqipëri.

“Në vitet e mbretërisë vendi njohu zhvillim të paprecedentë. Ftoj shqiptarët të ndalen në momentin e pushtimit të Shqipërisë dhe shembjes së perdes së hekurt në 1990-s”, tha ai duke shtuar se në ’90 u larguan më shumë njerëz se në çdo luftë, kjo tha ai për faktin e vetëm se mbretëria respektoi liritë dhe të drejtën themelore të pronës ndërsa regjimi komunist jo.

“Me emrin e tij janë të lidhur zgjedhje e lira. Janë të lidhura përpjekjet titanike për shtet ligjor, rend dhe siguri. Pavarësisht se iu bë grusht shteti, u rikthye. Ata që i thonë Shqipërisë, Shqipëri i detyrohen këtij burri të madh shtetin që u mungonte që nga koha e Skënderbeut, shtetin i cili bëri gjithçka për të zhvilluar vokacionin perëndimor të kombit shqiptar. Që bëri për të zhvilluar njërin prej vendeve më të prapambetura të planetit”, tha Berisha.

Mobi Casa

Sipas tij, “djaloshi zemër zjarr që në moshën 17-vjeçare do vërsulej si luan nga malet e Matit drejtë Vlorës së flamurit, për të mbrojtur pavarësinë e sapo shpallur për të mbështetur themeluesin e shtetit dhe pavarësisë së vendit, Ismail Qemal Vlorën. Ai qëndroi i palëkundur në anë e kombit shqiptar”.

Berisha ka thënë se Zogu konsolidoi shtetin shqiptar, ndërsa pohoi se ai jetoi dhe vdiq si antifashist. Sipas Berishës, Zogu luftoi në margatë, pavarësisht se u detyrua të largohej nga Shqipëria gjatë pushtimit fashist.

“Me emrin e Zogut janë të lidhur respektimi i madh i lirive të besimeve fetare, respektimi i madh i pronës, lëvizjes së lirë, mendimi të lirë. Me emrin e Zogut janë të lidhur konsolidimi i shtetit shqiptar. Njohja e Shqipërisë si shtet i pavarur në mbarë botën. Ndërtoi mijëra kilometra rrugë ura, shkolla, spitale. Mbretëria shqiptare do të ishte viktima e parë në Evropë, e agresioni nazi-fashist. Nuk pranoi të kapitullonte por vazhdoi luftën. Ishte nga të parët që u shpalli luftë pushtuesve të Shqipërisë. Zogu jetoi dhe vdiq si një prej anti-fashistëve më të vendosur të Shqipërisë dhe Evropës”, u shpreh Berisha. /tema/