UBT

Berisha: Lufta e UÇK-së të arkivohet në historinë e kombit, të mos përdoret për politikë

/ 7 minuta lexim
Hidromorava

Ish-komandanti i njohur i UÇK-së, Hisen Berisha, ka treguar për EkonomiaOnline momente dëshpërimi, por edhe krenarie gjatë kohës së luftës në Kosovë.

Ai nuk ka dashur të flas shumë për luftën, pasi që thotë se nuk dëshiron ta përdorë për poenë politikë.Thotë se ajo pjesë duhet të arkivohet në historinë e kombit, pasi që konsideron se është e shenjt dhe me vlera të larta.“Kurrë nuk kam dëshirë të përdori pjesë të luftës për politikë. Atë ia dedikojmë kombit, atdheut dhe dëshmorëve. Aty duhet ta arkivojmë historinë, le të merren historianët dhe le t’ia japin vendin meritor ku ajo e meriton. Për mua është e shenjt, vlera më e lartë dhe më bën me u ndie mirë, i qetë me ndërgjegje time para Zotit dhe para kombit, që kam mund të jap kontributin tim aq sa kam pasur zotësi dhe aftësi. E tërë lufta ka momente të cilat janë edhe dhimbje edhe mërzi, por edhe krenari”, thotë ai.Ish-komandanti i luftës në Koshare, thotë se çdo ditë ka pasur momente të veçanta, por që ka veçuar tri prej tyre, të cilat i tregon për herë të parë për EkonomiaOnline.Njëra prej tyre ndërlidhet me familjen e Komandantit Legjendar, Adem Jashari.

Thotë se një ngjarje që pa aty, e bëri që të ndërrojë edhe motivin e luftës, nga ajo për liri, në hakmarrje për fëmijët e asaj familje dhe fëmijëve në mbarë Kosovën.“Deri me atë fëmijën me numër 36 të familjes Jashari të Prekazit, motivi për luftë ka qenë çlirimi i Kosovës, pra liria, populli. Kur e kam parë atë fotografi e tërë lufta ime është fokusuar në hakmarrje për atë fëmijë. Nuk ka qenë gjendje normale, një oficer nuk guxon të përfshihet në emocione dhe inate, ose luftë për hakmarrje, sepse dështon. Por e kam kontrolluar këtë pjesë emocionale ama misioni ka qenë gjithmonë të luftoj për çdo fëmijë të Kosovës që ka pësuar si ai, që të marr hakun dhe mos me pas kurrë ambient në Kosovë ku fëmijët pësojnë në atë formë dhe askund në botë. Këtë pamje nuk ua dëshiroj as fëmijëve serbë, sepse ajo ka qenë kulmi i së keqes”, thotë ai.

Megjithatë, oficeri i lartë, thotë se atë çfarë ka parë në familjen Jashari dhe kudo në Kosovë, nuk do t’ia dëshironte as armikut.“Çdo luftë e ka anën e errët dhe ana e errët janë viktimat. Atë fotografi e kam treguar në momentin më kritik kur i kemi varrosur ushtarët e armikut që kanë mbet në fushë betejë. E kam treguar në momentet më kundërthënëse kur kam pasur krejt dëshpërimin në shpirt për fotografinë e atij fëmije dhe njëkohësisht e kam varrosur, me tregua se di me luftua dëshpërimin tim dhe me tregua humanizëm ndaj viktimave të luftës, sepse edhe ata fëmijë i ka urdhëruar dikush të vijnë në Kosovë”, thotë Berisha.

RCCOLA

Përveç ngjarjeve të rënda, të cilat mbesin të freskëta, në mendjen e ish-komandantit të Koshares, ka edhe momente gëzimi dhe krenarie.Njëra prej tyre është rrëzimi i kufirit shqiptar-shqiptar, që për 100 vjet ishte kufi ndarës ndërmjet kombit tonë.“A ka pas moment më kulmor, më madhështor se kur e kam parë piramidën e kufirit të rrëzuar. Kur i kam parë shkronjat SFRJ dhe këmbën e ushtarit të UÇK-së mbi ato shkronja dhe deklarimi se këtu më nuk ka kufi. Ky ka qenë moment kulmor i madhështisë që e ndjen një ushtar, një luftëtar në vijën e kufirit që ia ka ndarë kombin, gjakun, flamurin dhe gjuhën për 100 vjet. E kam edhe një moment të veçantë lufte që ndoshta se kam thënë ndonjëherë”, thotë ai.E një moment i paharruar për Berishën mbetet ai i zbarkimit në Dukagjin, pas çlirimit nga okupatori serb.

Aty thotë se iu kujtua Agim Ramadani e Sali Çeku, të cilët e kishin ëndërruar atë moment madhështie.“Gjatë zbarkimi nga Kosharja, ajo është një rrugë e tatëpjetë ku shihet komplet rrafshi i Dukagjinit dhe i pjesës së Anadrinitë, jam ndjerë shumë madhështor. Sepse kisha në ballë njësinë elitare Kobrat dhe flamurin kombëtar. Ishin djem të gjatë, të bukur, të hijshëm që ngjanin të gjithë me Agim Ramadanin. Më dukej se po e shoh Agimin duke ecur, më dukej se po e shoh kënaqësinë e Sali Çekut, kur mbushej nga brenda dhe emocionet kur e përfshinin nuk e fshehte në fytyrën e tij emocionin, kur thoshte ëndërroj me ia pa shpinën shkijeve duke ikë”, tregon ai.

Hiseni thotë se aty ndjeu lirinë e Kosovës, teksa hoqi edhe armën dhe në dorë mori një trëndafil i cili pavarësisht luftës së egër, kishte shpëtuar mrekullisht.Ky ishte edhe momenti kur uniforma e UÇK-së po bartej në Kosovën e çliruar për të cilën derdhen gjakun e tyre shumë gjenerata. “Kam ra në rrafsh të Dukagjinit në Junik, për një moment e kam ndjerë lirinë, sepse e kam parë një grup fëmijë që më kanë përshëndetur. Kur i kam parë në distancë, atëherë siç e kam pas pushkën e kam mbajt në një stil të veçantë të gatshme sepse nuk i dihej rrezikut në rrugë, isha i rrethuar anash me djem të Istogut, djem elitarë dhe një moment i kam thënë dikujt kape këtë pushkë, e kam heq pushkën prej dore dhe e kam parë një trëndafil që kishte qenë skaj rruge në mbeturina, që e kish zhvilluar jetën e vet edhe përkundër luftës kish mbijetuar. E kam këput atë trëndafil dhe e kam mbajt në dorë, që nuk do të ishte normale në një rreth të tillë, por e kam ndjerë që jam i lirë dhe guxoj në Kosovën time me ecë në uniformë të UÇK-së me trëndafil në dorë sepse më kurrë s’ka me guxua me na detyrua me mbajt pushkë për diçka të tillë”, rrëfen Hisen Berisha.

Krejt këtë krenari të UÇK-së, Hiseni thotë se nuk mund ta ulë asnjë gjykatë, qoftë ajo vendore dhe ndërkombëtare.Edhe pse nuk pret ftesë nga Gjykata Speciale, porosit që drejtësisë nuk duhet t’i ikë askush.“Drejtësisë nuk duhet t’i ikim asnjë. Qoftë ajo vendore, qoftë ndërkombëtare. Pse e kemi ndërkombëtare dhe se kemi vendore është përgjegjësi e jona, nuk është e ndërkombëtarëve. Çfarëdo gjyqesh që mbahen dhe kushdo që të thirr edhe unë që s’pres kurrë me më thirr, sepse thotë Clarku ‘Një luftë ndryshe’, sepse lufta ime është ndryshe, mos të më keqkuptojnë vëllezërit e armës, lufta jonë se ne e kemi bërë bashkë, por fola në kontekst personal. Çfarëdo padie që të ngrihet UÇK-në si vlera më e shenjt dhe më e lartë e kombit tonë dhe luftën e pastër dhe motiv të lart që e ka bë UÇK-ja nuk mund ta cenojë asnjë gjykatë”.“Ne duhet të kemi kurajë qytetare edhe intelektuale, i marrim përgjegjësitë personale, nëse vërtet kemi ndonjë përgjegjësi, por unë kam besim se në çdo kombinim vlerat e UÇK-së nuk do të cenohen. Përgjegjësive individuale nuk mund t’i ikim, por deri më sot është dëshmuar se edhe përkundër faktit që kanë hyrë nëpër ato filtra kanë dal prapë të pastër dhe e kanë ruajt këtë vlerë’ përfundon rrëfimin e tij për Ekonomia Online, Hisen Berisha.