Eko Higjiena

Berisha drejt Celticut

/ 3 minuta lexim

Valmir Berisha po shkon drejt Celticut. Futbollisti i ri kosovar e ka impresionuar ekipin skocez gjatë provave që kishte bërë atje. 16 vjeçari, i cili aktualisht luan në ekipin U-19 të Halmstadit, është i gatshëm të transferohet në Skoci, ku do ta ketë mundësinë të luajë në Ligën e Kampionëve, me ekipin U-20. Berisha e sheh Celticun si një urë lidhëse me ekipet më të mëdha, ku synon të luajë në të ardhmen.

Valmir Berisha është njëri prej talentëve më të mëdhenj të futbollit suedez. Sulmuesi i ri kosovar po shkëlqen me ekipin U-19 të Halmstadit, ku ka shënuar 10 gola nga 11 ndeshje, edhe pse është vetëm 16 vjeç dhe luan me lojtarë 3-4 vjeç më të mëdhenj. Talentin e Berishës e ka vërejtur gjiganti skocez Celtic, i cili insiston ta ketë në skuadrën e të rinjve sa më shpejt atë.

Futbollisti kosovar ka qenë në prova në Glasgow në nëntor të vitit të kaluar dhe i ka impresionuar trajnerët e ekipit U-20 të Celticut. Më pas, ai u ftua sërish në fund të dhjetorit në Skoci, por një lëndim ia pamundësoi shkuarjen atje. Tash, skocezët e kanë bërë gati kontratën për Berishën.

“Menaxheri më ka thënë se Celticu dëshiron që të nënshkruajmë kontratë para 31 janarit, kur përfundon afati kalimtar. Klubet janë duke biseduar për këtë, të shohim. Sigurisht, do të doja të transferohesha në Skoci qysh tash, sepse ekipi U-20 luan në Ligën e Kampionëve dhe ky eveniment është ëndërr për mua”, theksoi për Express futbollisti kosovar, i cili është pjesë e ekipit U-17 të përfaqësueses së Suedisë.

Fundamenti

Berisha është pjesë e Halmstadit që kur ishte 5 vjeç. Ai është pjesë e ekipit U-19, respektivisht ekipi i dytë. Atij i ishte ofruar kontrata shpesh, por nuk e ka pranuar nënshkrimin e saj, pasi është i vetëdijshëm se skuadrat e tjera e vëzhgojnë dhe se mund të nënshkruajë me një ekip më të madh.

Përpos Celticut, talentin kosovar e kanë kërkuar në prova edhe skuadrat si Espanyol, Hamburg e Stoke City, por nuk e la Halmstadin për to. Skocinë, Berisha e sheh si një urë lidhëse për një ekip më të madh për të ardhmen.

“Celticu ka ekip shumë të mirë dhe ua jep rastin lojtarëve të rinj, duke i ndihmuar që të bëhen lojtarë të mëdhenj. Aty luajnë disa lojtarë suedezë, të cilët më kanë thënë fjalë të mira për këtë ekip. Do të shkoja atje me plot dëshirë, sepse atje do t’u bija në sy ekipeve më të mëdha”, vazhdoi Berisha, i cili mund të nënshkruajë për dy vjet e gjysmë me gjigantin skocez.

Nëse jo në janar, atëherë largimi i tij nga Halmstadi do të ndodhë gjithsesi gjatë verës. Berisha premton se do ta japë maksimumin në ekipin suedez, por edhe me përfaqësuesen suedeze nëse mbetet në Skandinavi deri gjatë verës.(express)