Berisha: Do ia plotësoj dëshirën Seferit, do ia jap pasaportën shqiptare

Kryeministri Sali Berisha ka pritur sot boksierin shqiptar nga Maqedonia, Nuri Seferin. “Për mua takimi me boksierin e madh shqiptar Nuri Seferi, kampion disa herë në peshën e tij në Evropë, ishte i veçante dhe mbresëlënës. Ai ishte i çiltër dhe shumë njerëzor në bisedë, ndonëse kundërshtarët e quajnë ‘Nuriu i tmerrshem’”, ka shkruar Berisha në profilin e tij në Facebook.
Ai tha se Seferin e quan “Nuri fitimtari”. “Nuk mund ta quaja ndryshe. Në 33 ndeshje ndërkombëtare që ka zhvilluar ka fituar 27 dhe ka humbur 6 nga to. 20 herë kundërshtari doli nga ringu me nokaut, ndërsa vetë ka rënë vetëm një herë”, shkruan tutje Berisha.
Me tej, kryeministri shqiptar ka folur edhe për dy dëshirat që Seferi ia shfaqi atij.
“Nuriu kishte vetëm dy dëshira; pasaportën shqiptare me shqiponjë që i mungonte, të cilën donte ta vendoste edhe në ring, aty afër flamurit kombëtar dhe e dyta të zhvillonte një ndeshje për titull kampion i botës në Shqipëri. Ne ramë dakord për të dyja. Le t’i urojme se bashku Nuriut fitimtar fitore te tjera të mëdha”, ka përfunduar Berisha. (ORAinfo)