Uji Dea

Berisha: Akuzat e Martyt u shkruan nga prokurori serb

/ 3 minuta lexim

Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha e ka cilësuar sot, një moment historik marrjen e presidencës së Këshillit të Evropës nga ana e Shqipërisë, pasi përkon me 100-vjetorin e pavarësisë së vendit.

Duke folur në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Berisha theksoi se marrja e presidencës së KiE-së është një arritje e madhe për vendin. Ai ka folur edhe për raportin Dick Marty, për të cilin ka thënë se është shkruar nga një prokuror serb. Prandaj Berisha ka kërkuar një hetim të plotë lidhur me këtë raport.

“Njëzet vjet më parë, më 6 maj të vitit 1992, në vizitën e parë jashtë vendit si President i parë i Shqipërisë së sapodalë nga diktatura më e egër që Evropa kishte njohur pas Luftës së Dytë Botërore, unë paraqita përpara kësaj Asambleje të nderuar vullnetin e qeverisë e popullit tim për anëtarësimin e Shqipërisë në Këshillin e Evropës. Kjo ëndërr, të cilën shqiptarët e kishin mbrujtur për dekada të tëra, në maj të vitit 1995 do shndërrohej në realitet; Shqipëria do të anëtarësohej në Këshillin e Evropës”, tha sot kryeministri Berisha në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës.

Ai tha se, Shqipëria është vendi ku liria dhe të drejtat janë të garantuara me Kushtetutë, ashtu sikurse respektimi i të drejtave të njeriut, minoriteteve dhe toleranca ndërfetare. Nga një vend që përjetonte izolimin më të thellë, Shqipëria është sot anëtar i NATO-s dhe kontribuon në misionet e saj të paqes në Afganistan e më gjerë. Shqiptarët lëvizin sot pa viza në Evropë.

KKGJILAN

Duke e konsideruar të vështirë, por të suksesshëm udhëtimin e Shqipërisë në këto dy dekada sa i takon ndërtimit të idealeve të lirisë, demokracisë dhe shtetit ligjor, Kryeministri Berisha i shprehu mirënjohjen Këshillit të Evropës për ndihmën e çmuar të partneritetit dhe angazhimin për bashkëpunimin në 6 muajt e Presidencës shqiptare, për të promovuar vlerat e përbashkëta nën moton “Të bashkuar në diversitet”

Duke iu përgjigjur interesit të anëtarëve të Këshillit të Evropës, shefi i qeverisë shqiptare pranoi se mazhoranca po punon me opozitën për të arritur me konsensus përfundimin e reformës parlamentare, pasi PS theu bllokoi bojkotin në Parlament.

Kryeministri u shpreh se Qeveria shqiptare ka miratuar një ligj që i jep liri EULEX-it për hetime ndaj akuzave të Marty, për të cilat Berisha shprehu se ka ndjerë keqardhje, pasi u shkrua nga një prokuror serb.

“Zyrtarisht jam shumë i interesuar për të hetuar çdo akuzë që ka të bëjë me krime kundër njerëzimit. Ndjej disa keqardhje për nuancat raciste dhe kur mësova se ishte shkruar nga Vukcevic më erdhi më shumë keq. Ne kemi kërkuar ligj të vërtetë që jep gjithë autoritetin EULEX për të hetuar . Duhet hetuar plotësisht”, tha Berisha, transmeton BalkanWeb. /Telegrafi