Uji Dea

Beqiri: Serbët nuk e dinë fjalën paqe

/ 2 minuta lexim

Kryetari i Grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, vlerësoi se Kosova dhe qytetarët e saj nuk janë kundër që me Serbinë të ketë një traktat paqeje, mirëpo sipas tij, ende është larg që me këtë shtet të kemi traktat paqeje, sepse siç tha ai, serbët nuk e dinë çka është fjala paqe.

Beqiri pas mbledhjes së Kryesisë tha se diskutimi për reformën zgjedhore është vetëm humbje kohe, përderisa kanë mbet të padiskutuara problemi i listave, përbërja e komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

“Nuk e kemi parë të arsyeshme që të debatohet në Kuvend për diçka që së pari, do të duhej të kishte harmonizim në mes liderëve dhe partive politike, që përveç dakordimit me fjalë që Kosova të ketë një zonë zgjedhore, problemet tjera nuk janë zgjidhur. Zgjedhjet lokale duhet të mbahen këtë vit dhe duhet të mbahen ditën, që më lehtë t’i identifikojmë Ata që vjedhin dhe abuzojnë me vota”, deklaroi Beqiri.

UBT

Në anën tjetër, kryetari i Grupit parlamentar të VV-së, Glauk Konjufca, ka deklaruar se një traktat i paqes me Serbinë do të ishte shumë i mirë nëse traktati do të përmbante në vete: njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë, tërheqjen dhe shpërbërjen e të gjitha strukturave kriminale që i financon Serbia në Kosovë, nga ato të sigurisë deri te ato të administratës komunale.

Sipas tij, traktati i paqes mund të ndodhë nëse Serbia do të jepte llogari për të gjitha krimet që i ka bërë në Kosovë, të bënte kthimin e të pagjeturve dhe të mos luftonte pavarësinë e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Sa i përket zgjedhjeve, Konjufca tha se niveli i demokracisë që e kemi ne si shtet është i dobët përderisa zyrtarët politik nuk kërkojnë ta sjellin demokracinë, sundimin e ligjit dhe sigurimin e zgjedhjeve. /Telegrafi/