Beqiri: PDK nuk di matematikë: 83 deputetë që i kemi ne, janë më shumë se 37!

Ismet Beqiri nga LDK, në emisionin Info Magazina e Klan Kosovës, thotë se PDK nuk mund të blejë njerëzit e koalicionit LDK-AAK-Nisma. “Jo 81, por 83 deputetë do t’i kemi për ta formuar Qeverinë”, ka thënë ai.
Sipas tij, PDK kërkon kohë për të blerë, por shton se koalicioni nuk do të lodhet për, siç thotë ai, ta zbatuar vullnetin e popullit.
“Ekziston një konfuzion në kokat e PDK-së për të krijuar mjegull. Qytetarët e dinë se cila është shumica. 83 janë më shumë se 37, matematika është e thjeshtë, e këtë e dinë edhe fëmijët”, thotë ai. “Ne jemi të bindur se Gjykata Kushtetuese do të merr vendim që do t’i bindet së drejtës e jo një partie politike. Nuk mundet PDK të thonë: o me ne o asgjë”!
Sipas tij, është mirë për shëndetin politik të PDK-së të kalojë në opozitë.
“Mos ta marrin me frikë ndryshimin e pushtetit. Por, çdo vendim i kësaj kohe, nga kjo Qeveri në shkuarje, do të anulohet”, thotë Beqiri.
Sa i përket Lëvizjes Vetëvendosje, thotë se nuk janë ndërprerë
kontaktet. Ndërsa, shton se pas vendimit të GJK-së kontaktet do të vazhdojnë. /Telegrafi/