Beqaj: Thaçi do të mbijetojë falë unitetit të rrejshëm të opozitës dhe pozitës

Pavarësisht faktit që tri partitë opozitare, LDK, LVV e PSD, po vazhdojnë ta kundërshtojnë idenë e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për korrigjim të kufirit me Serbinë, ato nuk po arrijnë të dalin me një strategji të përbashkët rreth kësaj çështjeje.

Teksa ka folur rreth këtyre zhvillimeve, profesori universitar Belul Beqaj ka vlerësuar se deklarativisht të gjitha partitë janë kundër idesë së Thaçit për korigjimin e kufijve. Por në realitet sipas tij, të gjitha subjektet janë duke kalkuluar se çfarë rezultate iu sjellin këto deklarime po qe se eventualisht shkohet në zgjedhje të parakohshme.

“Disa subjekteve më mirë ndoshta iu bie të deklarohen kundër Thaçit, por të mos veprojnë praktikisht për të shkuar në zgjedhje. Nëse eventualisht shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme, për shkak të ‘tradhtisë’ së disa deputetëve të pozitës, kanë argumentin zgjedhor se ata kanë qenë kundër idesë së Thaçit, ndonëse është e qartë se ideja e tij do t’i dëmtojë ata që eventualisht mund ta mbështesin, qoftë edhe duke mos vepruar”, ka deklaruar ai për “Zerin”.

Andaj sipas tij, falë unitetit të rrejshëm të opozitës dhe të pozitës, presidenti Hashim Thaçi do t’ia dalë të “mbijetojë” pavarësisht këtyre kundërshtimeve.

Megjithkëtë Beqaj ka konsideruar se mosarritja e një uniteti mbi këtë çështje ka edhe anën pozitive, e cila ka të bëjë me mobilizimin e qytetarëve, rrjedhimisht organizimin e protestave.

“Ana pozitive e mosunitetit reflektohet me akumulimin e pakënaqësisë me gjendjen ekzistuese që përafron pikën e vlimit, kur zgjidhja do të kalojë në rrugë. Për këtë nevojitet vetëm një shkëndijë, e cila mund të vijë nga Kosova por edhe jashtë saj”, ka potencuar Beqaj. /ZERI

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).