Beqaj: Specialja, përplasja e parë serioze që rrezikon koalicionin

Politologu Belul Beqaj, duke folur rreth zhvillimeve të fundit sa i përket gjykatës Speciale nuk ka përjashtuar mundësinë që të ketë destabilizim të situatës në Kosovë me ofrimin e kohës së ngritjes së aktakuzave nga kjo gjykatë, raporton zeri.info.
“Përpjekje për të destabilizuar vendin për shkak të ngritjes së aktakuzave të para mund të ketë, por situata nuk mund të destabilizohet për arsye se shumica e qytetarëve janë lodhur me këta politikan në mesin e të cilëve do të gjinden edhe disa të akuzuar nga GJS-së. Së dyti,institucionet e sigurisë do të vëzhgohen maksimalisht nga KFOR-i dhe institucionet ndërkombëtare, prandaj gjasat janë të vogla që të instrumenatlizohen nga lidershipi”, ka deklaruar ai për “Zërin”.
Kurse, duke komentuar moskoordinimin e partnerëve të koalicionit sa i përket Gjykatës Speciale, Beqaj ka vlerësuar se kjo çështje ka shënuar edhe përplasjen e parë mes koalicionit.
“Po. Kjo është përplasja e parë shumë serioze që rrezikon koalicionin por edhe unitetin e PDK-së. Por, mendoj se veprimi i kryeparlamentarit ka qenë me vend, ndonëse e çuditshme duket kërkesa e përgjegjësisë publike për nismëtarët e shfuqizimit e cila epilogun është dashur ta ketë në Parlament, kryetar i së cilit institucion është pikërisht ai. Përgjegjësia për këtë nismë është edhe e kryeparlamentarit, çështje tjetër është nëse ai me paramendim ka dashur të zhvesh prapaskenën dhe t’i vendosë në grackë ata që kanë menduar të sakrifikojnë shtetin”, ka shtuar ai.
Me këtë rast, Beqaj ka thënë se qëndrimi i Veselit rreth Speciales, do t’i ndryshojë dukshëm raportet e koalicionit qeverisës.
“Besoj se raportet e koalicionit pas publikimit të letrës së kryeparlamentarit do të ndryshojnë seriozisht. Këtë Qeveri e kam vlerësuar si Qeveri avanturiste me kryeminsitrin avanturier ngase mënyra se si ështëkrijuar dhe motivi i koalicionit ka qenë puro makijavelistë. Kjo Qeveri çdo ditë mund të ketë të fundit ngase fati saj rrezikohet , mbase edhe nga interesi i një individit, e për qëndrimin e Listës serbe të mos flasë”, ka theksuar ai./Zeri