Fundamenti

Beqaj nuk premton dorëheqjen nëse shtrenjtohet rryma

/ 3 minuta lexim

Ministri i Zhvillimit Ekonomik (MZHE), Besim Beqaj, nuk do të japë dorëheqjen nëse premtimi i tij për mosshtrenjtim të energjisë nuk realizohet.

Ai ka premtuar se nuk do të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike, pavarësisht se për tarifat e energjisë vendos Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), që është organ i pavarur dhe i përgjigjet Kuvendit të Kosovës.

Vetë Beqaj nuk ka komentuar mundësinë e largimit, por në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik thonë se nuk ka kuptim të ndërlidhet e ardhmja e ministrit në Qeveri me shtrenjtimin e tarifave. “Kjo pyetje ka kuptim vetëm pasi ZRRE-ja të marrë vendimin. Ne nuk flasim për atë se çka do të ndodhë po qe se ndodh”, ka thënë këshilltari i ministrit Gëzim Baxhaku.

Bordi i ZRRE-së do të takohet të premten, më 22 mars, për të vendosur për të hyrat e lejuara maksimale të KEK-ut, KOSTT-it dhe KEDS-in, në kuadër të të cilit janë Operatori i Sistemit të Shpërndarjes dhe për Furnizuesin Publik.

Ndërsa të premten Bordi i ZRRE-së do të vendosë për të hyrat maksimale të lejuara, por jo edhe për tarifat e energjisë elektrike. Edhe pse të hyrat maksimale të lejuara për të licencuarit e përcaktojnë në masë të madhe tarifën e energjisë elektrike, megjithatë duhet një proces i veçantë për përcaktimin e tarifave të energjisë.

Mobi Casa

Pas vendosjes së të hyrave maksimale, furnizuesi publik do të aplikojë të nivelin e tarifave që do t’i mundësojë KEK-ut t’i mbledhë të hyrat maksimale të lejuara për të gjithë të licencuarit, shkruan Koha Ditore.

Në raportin konsultativ të ZRRE-së është thënë se një nga faktorët që mund të ndikojë në shtrenjtimin e energjisë për konsumatorët e amvisërisë është obligimi që ka marrë Kosova me nënshkrimin e traktatit të energjisë për eliminimin e ndërsubvencioneve.

Legjislacioni i BE-së dhe i Kosovës kërkojnë eliminimin e ndërsubvencioneve përbrenda çmimeve të energjisë elektrike deri në fund të vitit 2014. Bizneset deri më tani kanë paguar çmim më të lartë të energjisë, krahasuar me konsumatorët e amvisërisë. Në rast se bëhet eliminimi i ndërsubvencioneve, atëherë çmimi për konsumatorët e energjisë do të shtrenjtohet, ndërsa do të lirohet çmimi për konsumatorët e mëdhenj apo bizneset që nuk i shkaktojnë humbje KEK-ut.

Me eliminimin e ndërsubvencioneve nuk rriten të hyrat e KEK-ut, por vetëm bëhet bartja e të hyrave nga bizneset tek amvisëria. “Duke marrë parasysh shtytësit e tjerë kryesorë të kostos, dhe në veçanti përfshirjen e rritjes së plotë të taksës për shfrytëzim të linjitit në tarifa, ZRRE-ja konsideron se ribalancimi i tarifave duhet të bëhet gradualisht gjatë periudhës së plotë të periudhës rregullative”, thuhet në raportin konsultativ të ZRRE-së për shqyrtimin e shtatë tarifor”. /Telegrafi/