RCCOLA

Beogradi po e mban peng veten dhe rajonin

/ 2 minuta lexim
Mobi Casa

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, e ka hedhur topin te pala serbe sa i përket dialogut Kosovë-Serbi. Ai ka thënë se Prishtina zyrtare i ka kryer të gjitha obligimet e veta, ndërsa tash i mbetet Serbisë që të lëvizë përpara në këtë drejtim.

Thaçi ka thënë se është koha që Beogradi të vetëdijesohet në këtë drejtim dhe të mos e izolojë veten, por edhe tërë rajonin me mentalitetin e së kaluarës.

Kryeministri Thaçi, duke folur për bisedimet në mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, ka thënë se Republika e Kosovës tashmë i ka kryer obligimet e veta karshi këtij dialogu, duke shtuar se tashmë procesi ka ngecur te pala serbe, e cila po heziton të lëvizë përpara.

“Ne i kemi kryer obligimet tona karshi dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Tani Serbia duhet të komunikojë me Baroneshën Ashton dhe të prezantojë opinionet e veta dhe gatishmërinë e vet për të lëvizur përpara. Pozicioni i Kosovës është jashtëzakonisht i qartë, është në përputhshmëri të plotë me qëndrimin edhe të BE-së edhe të ShBA-së. Pra qëndrimet tona janë kushtetuese dhe ligjore”, ka thënë ai.

Mobi Casa

Thaçi ka premtuar se Republika e Kosovës do të jetë aktive dhe dinamike edhe në të ardhmen, në veçanti në implementimin e të gjitha marrëveshjeve që janë arritur deri më tani.

Ai e ka fajësuar Beogradin se përveç vetes, po e izolon edhe rajonin me mentalitetin e së kaluarës.

“Është koha që Beogradi të vetëdijesohet për të lëvizur përpara, në mënyrë që edhe vetë të mos izolohet dhe të mos e mbajë peng rajonin në mentalitetit e së kaluarës. Unë jam në kontakt të vazhdueshëm me Baroneshën Ashton dhe kabinetin e saj, kështu që do të shohim se si do të lëvizin gjërat në orët dhe ditët e ardhshme”, ka thënë ai.