Behgjet Pacolli: Koha e emocioneve ka kaluar, çështja e Aeroportit të Vlorës do të zgjidhet në rrugë ligjore
Presidenti i Mabetex Group, Behgjet Pacolli, ka reaguar lidhur me zhvillimet rreth projektit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, duke deklaruar se tashmë “koha e emocioneve ka kaluar” dhe se zgjidhja e kësaj çështjeje do të kërkohet ekskluzivisht përmes mekanizmave ligjorë dhe gjyqësorë.
Pacolli thekson se që nga muaji mars kompania i është drejtuar çdo ditë institucioneve shtetërore, si palë kontraktuese, duke kërkuar përmbushjen e detyrimeve kontraktore, krijimin e kushteve të nevojshme dhe lejimin e qasjes në kantier, me qëllim përfundimin e punimeve të mbetura dhe vënien në operim të aeroportit. Paralelisht, sipas tij, janë kërkuar hetime të plota, të pavarura dhe të paanshme nga organet e drejtësisë për të identifikuar përgjegjësit e situatës, të cilën ai e cilëson si një nga skandalet më të rënda që ka prekur ekonominë e vendit.
Ai shton se kompania ka bërë çdo përpjekje për të shmangur arbitrazhin, duke u pajtuar me vlerësimin e ekipit të tij ligjor se tashmë nuk ka më vend për emocione, por vetëm për fakte, dokumente dhe detyrime kontraktore. Pacolli rikujton se kontrata e koncesionit është lidhur në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe standardet ndërkombëtare, por nuk u lejua të arrinte fazën e operimit, ndaj të drejtat që burojnë prej saj do të mbrohen në gjykatat kompetente.
Sipas tij, për muaj të tërë MABCO-s i është mohuar qasja në kantier, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme me shkresa zyrtare dhe deklarata publike, ndërsa takimet me autoritetet janë refuzuar. Ai pohon se për pasojë një investim me vlerë të jashtëzakonshme ka mbetur pa mirëmbajtjen minimale teknike, duke rrezikuar dëmtimin e pajisjeve, instalimeve dhe humbjen e garancive të prodhuesve.
Pacolli thekson se aeroporti ndodhej në fazën përfundimtare të realizimit, ku kishin mbetur vetëm instalimi i disa sistemeve, testimet finale, pastrimi dhe përgatitja për operim. Në këto rrethana, ai e konsideron të papranueshme që kompania të mbahet përgjegjëse për vonesa, kur, sipas tij, është penguar fizikisht nga Policia e Shtetit të hyjë në kantier dhe të kryejë punën për të cilën ishte kontraktuar.
Ai nënvizon se ky është projekti i parë në historinë e Mabetex që nuk ka arritur të përfundohet, jo për mungesë kapaciteti teknik, financiar apo profesional, por për shkak se kompanisë iu mohua e drejta për të vazhduar punimet. Sipas Pacollit, kjo ka shkaktuar jo vetëm dëme financiare, por edhe reputacionale për kompaninë.
Në reagimin e tij, Pacolli kërkon gjithashtu një hetim të plotë institucional dhe ligjor për bllokimin fizik të kantierit, pengimin e qasjes dhe moszbatimin e detyrimeve kontraktore. Ai pretendon se MABCO është detyruar të mbrohet nga tentativa për mashtrim, vendime kontradiktore dhe të paligjshme gjyqësore, si dhe nga indiferenca ose mbështetja institucionale ndaj personave që, sipas tij, kanë vepruar jashtëligjshëm.
Në fund, Pacolli shprehet i bindur se në një proces të rregullt ligjor, kombëtar ose ndërkombëtar, faktet, dokumentet dhe provat do të flasin vetë, duke shtuar se kompania ua ka borxh qytetarëve të Shqipërisë të bëjë transparente çdo dokument dhe çdo fakt që lidhet me këtë investim, nga fillimi deri në zhvillimet e fundit./rajonipress/


