Behgjet Pacolli i del në mbrojtje ‘Vetëvendosjes’!

Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli i ka dal në mbrojtje Lëvizjes “Vetëvendosje”. Ai në një status në “Facebook” ka përmendur akuzat e Qeverisë së Republikës drejtuar LVV-së, transmeton “Zeri.info”.
“Këto akuza janë shpifje të rënda, sidomos kur bëhen nga “shërbyesit e popullit”, nga ata që harxhojnë paranë publike, nga ata që duhet të jenë punëtorë të edukuar dhe shembullorë. Në një shtet ligjor këto shantazhe do të ndëshkoheshin me ligj”, ka shkruar ai.
Postimi i plotë:
Akuzat e Qeverisë kundër Levizjes Vetëvendosje, se gjoja VV është e paguar nga Serbia, janë akuza fyese, denigruese, dhe i përngjajnë etiketimeve të paskrupullta që janë përdorur nga regjimet komuniste me qëllim të ruajtjes së privilegjeve të veta duke u shkaktuar të tjerëve dëme e dhimbje shpirtërore.
Këto akuza janë shpifje të rënda, sidomos kur bëhen nga “shërbyesit e popullit”, nga ata që harxhojnë paranë publike, nga ata që duhet të jenë punëtorë të edukuar dhe shembullorë. Në një shtet ligjor këto shantazhe do të ndëshkoheshin me ligj.
Nga ana tjetër, i pyes edhe miqtë e VV, si ju tingëllon juve ky etiketim i pavërtetë?
Për mua është një Déjà vu! Ju kujtohen të gjitha etiketimet që m’i bënit mua në mënyrë permanente (rus,agjent i Beogradit, etj., etj.)
E shihni sa keq është me qenë i shantazhuar pa baza!
Sidoqoftë unë vihem fuqishëm kundër të gjitha formave shantazhuese, teorive konspirative dhe metodave staliniste e enveriste që kanë karakter denigrues dhe fyes dhe që bëhen për shkaqe oportuniste në dëm të të tjerëve.