Begzadi nuk ndalet, në radhë për asfaltim rruga e Desivojcës, Kopërnica mbetet në vitin 2017
Kamenicë – Komuna e Kamenicës ka kërkuar sot zyrtarisht nga Ministri i Infrastrukturës, vazhdimin e asfaltimit të Rrugës Shipashnicë – Desivojcë e cila ka mbetur pa u realizuar nga viti 2012 kur ky Project kishte filluar.
Kryetari i Kamenicës Begzad Sinani së bashku me Nënkryetarin Fatmir Matoshi sot e kanë vizituar me Ministrin Lutfi Zharku këtë rrugë. Asfaltimi i 6.5 kilometrave rrugë deri në Desivojcë do të ishte një mundësi shumë e mirë për zhvillimin e kësaj treve dhe një mundësi shumë e mirë që këto fshatra mos të braktisen për mungesë të kushteve elementare për jetesë.
Ministri Zharku është zotuar se Ministria e Infrastrukturës do ta trajtojë me prioritet këtë rrugë për ta asfaltuar në një të ardhme të afërt.
Kryetari Sinani ka kërkuar që edhe rruga Shipashnicë e Poshtme – Shipashnicë e epërme të futet në plan për rehabilitim dhe poashtu të parashihet riasfaltimi i rrugës së dëmtuar brenda fshatit Shipashnicë e Epërme.
Rruga kryesore në Kopërnicë asfaltohet në vitin 2017
Kryetari i Kamenicës Begzad Sinani së bashku me Nënkryetarin Fatmir Matoshi dhe drejtorët komunal e kanë njoftuar Ministrin Lutfi Zharku me fillimin e punëve për asfaltimin e rrugëve lokale në Kopërnicë si dhe e kanë vizituar rrugën kryesore të fshatit Bunari i Zenelit – Penda e Kopërnicës.
Kryetari Sinani ka falënderuar ministrin Zharku për bashkëpunimin e sinqertë deri tash si dhe për realizimin e projekteve të filluara tani në komunën e Kamenicës si dhe për projektin e rrugës kryesore në Kopërnicë”.
Ministri Zharku ka shprehur kënaqësinë dhe ka vlerësuar lart punët për asfaltimin e rrugëve lokale si dhe ka njoftuar se rruga kryesore do të kontraktohet dhe asfaltohet në vitin 2017./rajonipress/





