Fundamenti

Begzad Sinani e quan qesharake aktakuzën e EULEX-it

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Në procesin gjyqësor që po zhvillohet ndaj ish kreut të Kamenicës Begzad Sinani dhe ish zyrtarit të prokurimit Hasan Keqmezit është lexuar aktakuza e prokurorit të shtetit Faik Halilit sipas së cilës Sinani e Keqmezi e kanë dëmtuar buxhetin e komunës duke dhënë ndihma në prag të fushatës zgjedhore të vitit 2009, ku kanë krijuar shpenzime të mëdha për dreka e pije. Begzad Sinani e ka quajtur qesharake aktakuzën dhe ka kërkuar të shtyhet gjykimi, por gjykatësja e EULEX-it e ka refuzuar kërkesën e tij.

Të mërkurën në Gjykatën Themelore në Gjilan ka nisur procesi gjyqësor kundër ish kreut të Kamenicës Begzad Sinanit dhe Hasan Keqmezit ish zyrtar i prokurimit. Në këtë lëndë ndërkaq nuk ndodhet Selami Zylfiu pasiqë ai në fazat e mëhershme të hetimeve është shpallur i pafajshëm. Zylfiu ka ofruar prova e dëshmi se nuk ka qenë i implikuar në veprat e ngarkuara dhe është liruar nga të gjitha dyshimet hetimore.

Në gjykimin që po e kryeson gjykatësja e EULEX-it Anna Adamsak Gallant të mërkurën është lexuar aktakuza e prokurorit të shtetit Faik Halili, raporton rajonipress.

Sipas aktakuzës Begzad Sinani dhe Hasan Keqmezi dyshohen sepse gjatë vitit 2009 me qëllim që vetit t`i sjellin përfitim të kundërligjshëm pasuror kanë marrë vendim për shpërndarjen e ndihmave për skamnorët edhe pse s`ka pasur nevojë për një gjë të tillë.

Aktakuza gjithashtu i ngarkon Sinanin e Keqmezin se gjatë kohës së fushatës së viti 2009 kanë dëmtuar buxhetin e Kosovës duke krijuar shpenzime për dreka e pije. Të dy këta dyshohen për veprën penale shpërdorimi i detyrës zyrtare.

Prokurori Halili tha se ka dëshmi e prova të mjaftueshme që dëshmojnë se këta dy të akuzuar e kanë shkelur ligjin edhe pse ata është dashur të jenë shembull që kjo të mos ndodhë.

Fundamenti

Reagimi i Begzad Sinanit ka qenë i menjëhershëm. Sinani tha se e kupton këtë aktakuzë që për mua është qesharake.”Vërtet tani u lirova sepse po shoh që s`ka asgjë me mua kjo aktakuzë. Është një aktakuzë qesharake për të cilën unë ndihem i pafajshëm dhe i pastër” tha Sinani.

Sinani ka kërkuar nga trupi gjykues që meqë është fushata në prag që të shtyhet ky proces gjyqësor me arsyetimin se nuk ka kushte për tu zhvilluar normalisht.”Unë jam këtu dhe kjo lëndë nuk është e një rrezikshmërie të lartë. Unë propozojë që ky gjykim të mbahet pas tre muajve sepse së bashku me Shaip Surdullin jemi kandidatë-rivalë për kryetar të Kamenicës” tha Sinani.

Por gjykatësja Gallant pasi është konsultuar me kolegët e saj e ka refuzuar kërkesën e Sinanit me arsyetimin se fushata zgjedhore nuk është pengesë që gjykimi të shtyhet.”Ne jemi të pavarur dhe unë ju sigurojë se do të keni një gjykim të drejtë” tha Gallant.

Më pas është deklaruar edhe Hasan Keqmezi i akuzuari i dytë. Keqmezi tha se kjo aktakuzë nuk bazohet në ligjet e Kosovës.”Aktakuza s`ka dëshmi e as prova dhe unë e ndiej vetën të pafajshëm” tha Keqmezi.

Gjykimi po vazhdon me shtjellimin e leximit të aktakuzës derisa dëshmitar dhe palë paditës janë Shaip Surdulli dhe Afrim Kovani./rajonipress/