Befason Cana, kthehet në Francë, por jo te Marseille
Mbeten vetëm pak ditë nga fundi i gushtit, por merkato mund të rezervojë një tjetër lëvizje sensacionale për tifozët shqiptarë.
Kapiteni i kombëtares, Lorik Cana është në diskutim me klubin francez të Nantes. Lajmi bëhet i ditur nga e përditshmja prestigjioze L’Equipe, që shkruan se Cana, që u largua nga Marseille në vitin 2009, mund të rikthehet sërish në Ligue 1.
L’Equipe konfirmon se Cana është në diskutime me klubin e Nantes për të arritur në një marrëveshje, pasi edhe pse ka edhe një vit kontratë me Lazion, nuk bën pjesë në planet e trajnerit Pioli.
Për Nantes që është në kërkim të një qendërmbrojtësi angazhimi i kapitenit të kombëtares shqiptare do të ishte një goditje e madhe.
Te Nantes, Cana do të gjente edhe futbollistin tjetër të kombëtares kuqezi Ermir Lenjanin që u transferua nga Rennes në huazim vetëm pak ditë më parë.

