Befasitë e Gentës

Genta Ismajli ka realizuar videoklipin e saj të fundit “E kam provuar”. Por, këngëtarja thotë se nuk do t’i ndalë befasitë e radhës, pasi që pritet edhe gjatë verës të realizojë një videoklip, sigurisht më “hot” për fansat e saj. Ajo thotë se videoklipin e ri do ta promovojë në Klan Kosova të shtunën.
Genta “E ka provuar”.
Dashurinë apo çka?
Jo, kjo është kënga e saj më e re, të cilën këngëtarja e ka bërë videoklip dhe që pritet që ta promovojë të shtunën në emisionin “Prive” të Klan Kosovës.
Për këtë ajo thotë se është shumë e lumtur përderisa paralajmëron se ky është vetëm fillimi i krijimeve të saj për këtë vit, pasi që befasi të tjera nuk do të mungojnë.
“Klipi publikohet të shtunën. Së pari premierë në “Prive”, në ‘Klan Kosova’ ku dhe kanë bërë një reportazh gjatë xhirimeve dhe në mbrëmje diku rreth orës 8 do të bëhet dhe publikimi online në kanalin tim zyrtar në YouTube. Pastaj do u dërgohet dhe televizioneve”, ka thënë Genta për Express.
Kënga “E kam provuar” ishte bërë publike qysh vitin e kaluar, ku, sipas Gentës, ajo ishte mirëpritur shumë mirë nga fansat e saj.
“Pikërisht për këtë, pas kërkesave të mëdha për klip, vendosa që ta realizoj atë. Xhirimet janë bërë para dy jave dhe videoklipi është realizuar nga EMF Creative, kurse ‘stiling’ është punuar nga Merita Harxhi Koci. Flokët nga Kaci, kurse make up është punuar nga Sellma”.
Përndryshe, “E kam provuar” është një këngë me tekst të Arsim Bunjakut, aranzhuan të Virusit përderisa ajo mund të blihet edhe në një CD që e ka në shitje Arboni.
Paralajmërimin në Facebook dhe rrjetet e tjera sociale Genta e quan një strategji marketingu.
“Klipi vetëm e ka një strategji promovimi me anë të marketingut dhe me këtë rast desha të falënderoj dhe juve mediat në përgjithësi për lansimin e lajmit dhe përcjelljen e projekteve të mia”.
Por, kjo këngë nuk do të jetë kënga e vetme e Gentës gjatë gjashtë mujorit të parë të vitit.
Këngëtarja thotë se në verë adhuruesit e saj duhet të përgatiten për një këngë shumë “hot” ashtu sikurse është edhe vet stina e verës.
Por, tortën adhuruesit do ta shijojnë më vonë.
“Saktësisht nuk do ta tregoja tani pasi janë në përpunim e sipër por është duke ardhur diçka shumë interesante dhe jam e sigurt se do ju pëlqej të gjithëve”, tha Genta.
E përderisa ajo po shkon drejt një dekade në muzikë në skenën muzikore shqiptare ajo thotë se befasitë pritet të shihen edhe më shumë në vitin 2014 kur ajo do mbush fiks 10 vjet në këtë skenë.
“Vitin tjetër do këtë shumë surpriza, jo vetëm album. Do festoj gjatë tërë vitit 10 vjetorin tim në skenën muzikore shqiptare më shumë projekte interesante dhe për të është duke u punuar që nga viti i kaluar”, ka thënë Genta.
Përndryshe, Genta Ismajli gjatë karrierës së saj ka të realizuar disa albume muzikore, ka bashkëpunuar me emra të njohur të muzikës jo vetëm shqiptare por edhe ndërkombëtare si me muzikanten Kara DioGuardi që për disa vite ishte anëtare e jurisë së “American Idol”, emision i njohur në SHBA. Në karrierën e saj janë të njohur hitet: “Dridhem”, “S’dua tjetër”, “Kthehu”, “Guximi”, etj.