KKVITI

Bedri Hamza: Që tani mund të nisim autostradën drejt Shkupit

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Autostrada e dytë kosovare mund të nisë së ndërtuari këtë vit. Ministria e Financave ka marrë dritën jeshile nga Fondi Monetar Ndërkombëtar që të fillojë procedurat për ndërtimin e “Rrugës 6”, që duhet të lidhë Prishtinën me Hanin e Elezit, në drejtim të Shkupit.

Këtë e konfirmoi edhe ministri i Financave, Bedri Hamza, shkruan Koha Ditore e së dielës.

“Që tani mund të nisim autostradën drejt Shkupit”, thotë ai.

Ndërtimi i kësaj autostrade nuk do të ketë implikime buxhetore gjatë këtij viti. Procedurat e tenderimit që, sipas tij, mund të nisin nga kjo javë nëse janë të gatshme, mund të zgjasin deri në vitin e ardhshëm.

“Prokurimi mund të fillojë që sot me procedurat e saj për ndërtimin e autostradës. Se kur mund të përfundojnë ato dhe kur pritet të fillojë ndërtimi, unë nuk mund ta them. Është përgjegjësi e Ministrisë së Infrastrukturës”, tha Hamza.

Ministria e Infrastrukturës premton të mos vonojë në ndërtimin e autostradës së dytë, atë Prishtinë-Han i Elezit, dhe se kjo do të ndodhë më së largu në fillim të vitit të ardhshëm. Lah Nitaj, këshilltar politik në Ministrinë e Infrastrukturës, ka deklaruar se nuk do të ketë kurrfarë vonesash në ndërtimin e autostradës drejt Shkupit.

Ai pohon se autostrada Prishtinë – Han i Elezit, e quajtur edhe “Rruga 6”, do të nisë të ndërtohet më së largu në fillim të vitit 2013, porse kjo mund të ndodhë edhe më herët, në fund të këtij viti.

“Gjatë vitit 2012 do të përfundohen të gjitha procedurat, siç është shprehja e interesit për kompanitë që do ta ndërtojnë atë, do të finalizohet edhe pakoja tenderuese, dhe në fund të bëhet edhe përzgjedhja e kompanisë fituese”, është shprehur Nitaj.

KKVITI

Qeveria e Kosovës i ka premtuar FMN-së se do të heqë dorë së paku gjatë vitit 2012 nga projekti i autostradës së dytë.

Sipas të njëjtit dokument zyrtar, gjatë vitit 2012 do të bëhen planifikimet e duhura nën asistencën e Bankës Botërore për të gjetur një version të favorshëm për financimin e ndërtimit të “Rrugës 6”, ndërtimit të së cilës nuk i dihet filli.

“Me dizajnimet e planifikuara aktualisht vetëm pjesa veriore e ‘Rrugës 6’ afër Prishtinës është ekonomikisht e qëndrueshme”, thuhet në të njëjtën letër.

Ministri Hamza thotë se Qeveria është e gatshme të hyjë në ndërtimin e kësaj rruge në të gjitha versionet.

“Autostrada në drejtim të Shkupit mund të ndërtohet në cilindo version, qoftë me mjete të buxheti, qoftë nga sektori privat, apo edhe në bashkëpunimin publiko-privat. Ne jemi të gatshëm të mbulojmë në cilëndo formë, vetëm duhet shikohet leverdia. Procedurat e tenderimit mund të fillojnë që sot dhe të shihet se cili do të jetë versioni më i mirë”, tha Hamza.

Ndërtimi i kësaj autostrade parashihet të ketë një kosto prej afro 600 milionë eurosh, siç parashihet me Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve 2012-2014. Megjithatë, kostoja finale do të dihet tek pas konkurrimit të kompanive në tenderin për shprehje të interesit.

Projekti për realizimin e autostradës Prishtinë – Hani i Elezit është prezantuar në vitin 2010. Është thënë se ajo do të ndërtohet në një trase tërësisht të re, me gjatësi prej 55 kilometrash. Dy tunelet e planifikuar në këtë autostradë, ku më i gjati do të jetë ai i Kaçanikut, me 2. 2 kilometra, janë vënë në pikëpyetje