Eko Higjiena

BE: Kryejeni reformën

/ 2 minuta lexim
Fundamenti

Zyra e Bashkimit Evropian ka përsëritur kërkesën për liderët politikë që të përshpejtojnë reformën zgjedhore. Sipas tyre, duhet shfrytëzuar koha shtesë e Komisionit për Reformën Zgjedhore për të përfunduar procesin e nisur një vit më parë.

Takimi i radhës i liderëve pritet të mbahet javën e ardhshme, por ende nuk ka ndonjë sinjal se mund të ketë pajtim për listat dhe zonat zgjedhore.

Liderët politikë të Kosovës ende nuk kanë arritur të pajtohen për sistemin zgjedhor në Kosovë, ndërkohë Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë po vazhdon të kërkojë përshpejtimin e këtij procesi, shkruan “Express”.

Më herët Zyra e Zbogarit ka konstatuar se ka ngecje të mëdha sa i përket reformës zgjedhore dhe se nuk është arritur progres substancial në thjeshtësimin e procesit zgjedhor.

Komisioni për Reformën Zgjedhore, i themeluar nga Kuvendi i Kosovës në maj të vitit të kaluar dhe ka pasur mandat një vit për t`i dërguar rekomandimet në Parlament, por ky afat është shkelur për shkak se partitë politike nuk kanë arritur konsensus.

Fundamenti

Partitë politike nuk kanë arritur të merren vesh për listat dhe numrin e zonave zgjedhore.

Me një vendim të ri të Kuvendit, Komisionit të udhëhequr nga Haki Demolli i është dhënë mandat shtesë deri në gjysmën e muajit gusht të këtij viti për të përmbyllur procesin.

Megjithëkëtë, në dy takimet e fundit, puna e Komisionit është bllokuar për shkak të mungesës së liderit të PDK-së, Hashim Thaçi.
Zyra e BE-së në Prishtinë, edhe të mërkurën, iu ka bërë thirrje liderëve të përfundojnë reformën zgjedhore, duke u bazuar në modelet më të mira evropianë.

“Ne presim që liderët do të shfrytëzojnë këtë kohë shtesë që u është dhënë për të dalë me një marrëveshje për reformat zgjedhore”, ka thënë Syzana Bytyqi, zyrtare për informim në Zyrën e BE-se.