ARKATANA

BE kërkon ngritjen e agjendës evropiane

/ 7 minuta lexim
Fundamenti

Nga Lutfi Haziri – Qeveria e Kosovës duhet të dëshmojë më shumë rezultate në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit për të realizuar procesin e liberalizimit të vizave si objektiv kryesor të Kosovës në raport me BE-në. Sfida të mëdha mbeten edhe siguria e dokumenteve, kufiri shtetëror, menaxhimi i migracionit, rendi e siguria dhe të drejtat themelore të lirisë së lëvizjes.

Kur në janar të vitit 2012, filluan nismat për hapjen e dialogut për heqjen e regjimit të vizave në Kosovë, këtë nismë e patëm vlerësuar si hap të rëndësishëm dhe me rëndësi jetike për Kosovën, por në një masë e konsideruam edhe proces të vonuar.

Më 14 qershor të vitit që shkoi, Kosova e mori Udhërrëfyesin për Liberalizimin e Vizave, përmes të cilit parashihet përmbushja e reformave shumë të rëndësishme për këtë proces, ndërkohë që në dhjetor të po këtij viti, Këshilli i BE-së e konfirmoi fillimin e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit midis BE-së dhe Kosovës pas studimit të fizibilitetit, e cila hapë rrugë të sigurt të integrimit evropian të Kosovës drejt nënshkrimit të një marrëveshjeje kontraktuale ndërmjet BE-së dhe Kosovës.

Institucionet e Kosovës, për ta çuar përpara agjendën e integrimit evropian për përmbushjen e kritereve të kërkuara nga BE dhe për dallim nga vitet e kaluara, këtë vit e kanë hartuar Planin e Veprimit për negocimin e MSA-së. Ky plan i veprimit është proceduar nga Qeveria e Republikës së Kosovës për shqyrtim dhe miratim në Kuvend, me kërkesë të Komisionit për Integrime Evropiane.

Për dallim nga vitet e kaluara, institucionet e Kosovës këtë vit e kanë një plan veprimi të vetëm dhe të përbashkët, që është objektivi për përmbushjen e kritereve për negociimin e MSA-së, derisa Kuvendi i Kosovës do ta monitorojë zbatimin e këtij plani të veprimit, me qëllim të arritjes së Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

BE kërkon përmbushjen e reformave në disa fusha

Kur flasim për raportet midis BE-së dhe Kosovës, dëshiroj të theksoj se sipas BE-së, nga Kosova kërkohet edhe më tej përmbushja e reformave, të cilat kanë të bëjnë me ngritjen e agjendës evropiane. Presidenca, Qeveria dhe Kuvendi, janë institucionet kryesore përgjegjëse për shtyrjen përpara të këtyre proceseve të reformës demokratike.

Nga Kuvendi i Kosovës kërkohet që edhe më tej ta fuqizojë mbikëqyrjen mbi Ekzekutivin dhe Sektorin e Sigurisë, përmes rishikimit të legjislacionit dhe monitorimit të zbatimit të politikave dhe ligjeve. Po ashtu nga Kuvendi i Kosovës kërkohet pavarësi financiare dhe administrative e Kuvendit nga Qeveria. Kjo mund të arrihet përmes miratimit të legjislacionit për statusin e shërbyesit civil në Kuvend. Sigurimi i një plani të buxhetit për Kuvendin duhet të ndryshohet nga Qeveria në konsultim me Kuvendin, para se Qeveria ta dërgojë propozimin në Kuvend për miratim. Nga Kuvendi është kërkuar që të bëhen edhe reforma kushtetuese e zgjedhore.

Kur flasim për bashkëpunimin e ngushtë midis Kosovës dhe BE-së, me theks të veçantë do trajtuar sundimi i ligjit në Kosovë, si dhe ngecja e tij në realizimin e objektivave të parapara. Sa i përket sundimit të ligjit, ritheksoj se nga Kosova është kërkuar miratimi i disa ligjeve të rëndësishme, siç është Ligji për Pastrimin e Parave dhe Konfiskimin e Pasurisë. Brenda një afati të shkurtër është kërkuar nga institucionet e Kosovës, që të ketë rezultate edhe në luftën kundër krimit të organizuar.

Kur flasim për këtë çështje të rëndësishme, do theksuar se duhet të vazhdojë fuqizimi dhe zbatimi i legjislacionit, veçanërisht në parandalimin dhe luftimin e trafikimit me qenie njerëzore, pastaj droga, prekursorët e drogës, si dhe trafikimi me armë. Lidhur me këto çështje të ndjeshme për integrimin e Kosovës në Evropë, institucionet e Kosovës duhet të dëshmojnë vendosmëri dhe përgjegjësi më të theksuar në luftimin e këtyre segmenteve negative, në mënyrë që Kosova dhe qytetarët e saj t’i realizojnë objektivat e tyre në raport me BE-në.

FIDANISHTJA

Sa i përket reformave në administratën publike, jo rrallë në Parlamentin e Kosovës e kemi shtruar këtë çështje si njërën nga çështjet më me prioritet për institucionet e Kosovës. Nga institucionet e Kosovës janë duke u kërkuar reforma të domosdoshme në administratën publike, si dhe miratimin e legjislacionit sekondar për shërbimin civil dhe pagat e shërbyesve civilë, si dhe për sigurimin e pavarësisë buxhetore të institucionit të Avokatit të Popullit.

Kuvendi të ketë rol mbikëqyrës ndaj Ekzekutivit

Kosova duhet të sigurojë një organ që ofron konsultim të drejtpërdrejtë mbi promovimin e dhe mbrojtjen e trashëgimisë fetare dhe kulturore me bashkësitë fetare, veçanërisht me Kishën Ortodokse Serbe. Pritet që Kosova të promovojë multietnicitetin, pastaj vazhdimin e zbatimit të decentralizimit sidomos në komunat e reja, si dhe të ndihmojë integrimin e serbëve të Kosovës.

Sa i përket kërkesave të cilat kanë dalë nga dokumenti për Studimin e Fizibilitetit për negociimin e MSA-së, Kuvendi i Kosovës e ka miratuar Ligjin për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë së përfituar me vepër penale, pastaj Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për parandalimin e pastrimit të parave, pastaj parandalimin e financimit të terrorizmit, si dhe Strategjinë dhe Planin e Veprimit Kundër Korrupsionit për vitet 2013-2017.

Kur flasim për raportet e Kuvendit të Kosovës me Ekzekutivin, do theksuar se përmes monitorimit të zbatimit të Planit të Veprimit për negocimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, Kuvendi i Kosovës do ta fuqizojë rolin e tij mbikëqyrës ndaj Ekzekutivit. Kuvendi përmes mbikëqyrjes së zbatimit të ligjeve, ka planifikuar të monitorohen edhe nga komisionet parlamentare, për të fuqizuar ndjeshëm rolin e tij. Kuvendi gjithashtu do të kërkojë raporte të rregullta nga Qeveria lidhur me zbatimin e planit të veprimit për negociimin e MSA-së, në mënyrë që të përmbushen të gjitha obligimet e institucioneve të Republikës së Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Sa i përket takimeve të dy dialogjeve midis BE-së dhe Kosovës më 12 shkurt të këtij viti, siç ishte Dialogu për Liberalizimin e Vizave dhe Dialogu i strukturuar për sundim të ligjit, në këto takime është konstatuar se institucionet e Kosovës kanë shënuar progres të kufizuar drejtë përmbushjes së kritereve të mbetura. Performanca e institucioneve të Kosovës në zbatimin e objektivave është ndikuar nga ndryshimet e prioriteteve të Qeverisë së Kosovës, si dhe pritshmërisë për nxjerrjen e raportit të parë të vlerësimit nga Komisioni Evropian.

Po ashtu vlen të theksohet se dialogu midis Kosovës dhe Serbisë, mendohet se është ndërlidhur nga ana e Komisionit Evropian, çka e bënë këtë proces që të mos jetë thjeshtë teknik, por të ketë edhe atribute politike. Qeveria e Kosovës duhet të dëshmojë më shumë rezultate në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, sidomos për të realizuar procesin e liberalizimit të vizave, si njërin ndër objektivat kryesore të Kosovës në raport me BE-në.

Krejt në fund theksoj se sfidat që mbeten për t’u realizuar nga institucionet e Republikës së Kosovës janë siguria e dokumenteve, kufiri shtetëror, menaxhimi i migracionit, rendi e siguria, si dhe të drejtat themelore të lirisë së lëvizjes.

(Autori është deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe kryetar i Komisionit për Integrime Evropiane).