ARKATANA

BE-ja, por edhe populli, kërkojnë veprim energjik kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar

/ 10 minuta lexim
Uji Dea

EKSKLUZIVE: INTERVISTË ME AMBASADORIN FRANCEZ NË KOSOVË, Z. DIDIER CHABERT. Demarkacioni nuk mjafton për të përfituar lëvizjen e lirë.

“Kosova Sot”: Si e vlerësoni stabilitetin qeverisës në Kosovë, kur dihet se Qeveria ka humbur shumicën në Kuvend dhe mezi bën kuorum për vendime të vogla e lëre më të mëdha?

Didier Chabert: Qeveria e z. Ramush Haradinaj është në pushtet dhe vetëm një mocion i mosbesimit i opozitës mund ta rrëzojë atë, gjë që nuk duket e mundshme në kontekstin aktual politik. Ratifikimi i marrëveshjes kufitare ka treguar aftësinë e saj që Kuvendi i Kosovës të miratojë ligje politikisht të ndjeshme, por të rëndësishme për vendin.

“Kosova Sot”: As Franca nuk i ka tërë këta ministra e zv.ministra. Si ju duket kjo formulë megalomane qeveritare, a është normale kjo për Kosovën?

Didier Chabert: Franca ka pasur qeveri të të gjitha madhësive, me numër të ndryshëm të ministrave. I takon çdo kryeministri të vendosë, në kuadër të prerogativave kushtetuese, për përbërjen dhe formën e qeverisë së tij, sipas objektivave dhe prioriteteve që ai synon të arrijë. Ajo që ka rëndësi nuk është madhësia, por rezultati.

“Kosova Sot”: Pavarësisht numrave, demarkacioni me Malin e Zi u vlerë- sua si sukses në Raportin e Progresit të KE-së. A besoni se do të korrigjohet kufiri, siç thotë kryeministri Haradinaj? Didier Chabert: Kufiri mund të ndryshohet vetëm me marrëveshjen e të dyja vendeve në fjalë. Prandaj, është një çështje e një rinegocimi të mundshëm me Malin e Zi.

Dy kriteret e fundit

“Kosova Sot”: Liderët kosovarë kanë thënë se kur të miratohet demarkacioni liberalizohen vizat, por ende nuk kemi një vendim. Na tregoni se sa kohë mund të marrë deri në një vendim të tillë dhe realisht a ka pengesa që të ndodhë liberalizimi?

Didier Chabert: Ishin dy kritere të fundit për t’u përmbushur, në mënyrë që të dorëzohet propozimi për heqjen e vizave, që do të paraqitet në Këshillin e Bashkimit Evropian, njëri prej të cilëve ishte ratifikimi i marrëveshjes së Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

“Kosova Sot”: Një kriter tjetër është edhe luftimi i korrupsionit dhe rezultatet mungojnë, sepse nuk kemi aktakuza as dënime të atyre që njihen si ‘peshqit e mëdhenj’. A ka lëvizur diçka kjo qeveri në këtë drejtim me sa keni parë deri tash?

Didier Chabert: Angazhimi i vendosur i Kosovës për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar është me të vërtetë kriteri i dytë i mbetur. Një mision vlerësimi i Bashkimit Evropian erdhi për të shqyrtuar nga njëra anë rezultatet e arritura në kuadrin e të ashtuquajturit “Track record”, që është një përmbledhje rastesh konkrete që u nënshtrohen procedurave ligjore dhe nga ana tjetër progresi legjislativ i realizuar në këtë fushë. Ka disa muaj që Qeveria e Kosovës e di se çfarë pret nga ajo Bashkimi Evropian, por edhe populli që kërkon një veprim energjik kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ky raport do të jetë një element shumë i rëndësishëm, por jo i vetmi, për të parë nëse Kosova mund të shpresojë për liberalizimin e vizave para fundit të vitit.

“Kosova Sot”: Për një rast të njohur si afera ‘Pronto’ është ngritur një aktakuzë, por a besoni se do të ketë diçka në fund të saj?

Didier Chabert: Unë nuk mund dhe nuk dua të komentoj për proceset gjyqësore që janë duke u zhvilluar. Është në dorë të gjykatave të bëjnë punën e tyre në mënyrë të pavarur.

“Kosova Sot”: EULEX-it i mbaron mandati në fund të qershorit. A i duhet më tutje Kosovës një mision i tillë?

Didier Chabert: Brenda një periudhe disavjeçare, EULEX-i ka bërë një punë të jashtëzakonshme për vendosjen e sistemit gjyqësor të Kosovës në binarë. Ky mision mund të jetë krenar me bilancin e tij. Ende ka shumë reforma për sa i përket legjislacionit dhe funksionimit të brendshëm të gjykatave, por tani u takon institucioneve kosovare t’i kryejnë këto detyra.

Specialja nuk është gjykatë politike

“Kosova Sot”: A keni informacione se përse Gjykata Speciale ende nuk është duke nisur proceset e para gjyqësore?

Didier Chabert: Siç e thashë më herët, unë nuk mund të komentoj për ndonjë procedurë gjyqësore që është duke u zhvilluar. Unë vetëm dua të theksoj se instalimi ex-nihilo (nga zeroja) i një juridiksioni ndërkombëtar aq kompleks kërkon kohë.

“Kosova Sot”: A është kjo një gjykatë politike në fakt?

Didier Chabert: Kjo gjykatë nuk është politike, siç mendojnë disa. Bëhet fjalë për inicime të procedurave penale për vepra të supozuara të rënda kriminale. Është gjithmonë e nevojshme vënia e drejtësisë në vend për vuajtjet e pësuara nga viktimat dhe për të zbardhur të vërtetën për familjet e tyre.

Serbia mund ta njohë Kosovën në fund të dialogut

FIDANISHTJA

“Kosova Sot”: Në rrafshin diplomatik dialogu duket prioriteti kryesor, ndërsa flitet se deri në vitin 2019 do të përmbyllet procesi me një marrëveshje, por a keni ide se çfarë kompromisi do të ishte ky?

Didier Chabert: E veçanta e marrëveshjes së kompromisit është se nuk caktohet paraprakisht, por është rezultat i një negocimi, ku secili bën koncesione. Varet nga autoritetet përgjegjëse për dialogun për të vendosur pozicionet fillestare të bisedimeve të Kosovës, se çfarë ata dëshirojnë të arrijnë në marrëveshjen përfundimtare dhe atë që ata mund eventualisht të japin në këmbim.

“Kosova Sot”: A besoni se Serbia do ta njohë shpejt Kosovën?

Didier Chabert: Kjo mund të jetë një nga përfundimet e mundshme në marrëveshjen përfundimtare të detyrueshme ligjore. Kjo u takon të dyja palëve të vendosin.

“Kosova Sot”: A mund të jetë Kosova në fund të këtij procesi anëtare e OKBsë?

Didier Chabert: Ky është objektivi që synohet. Për Francën, si për shumicën e vendeve të botës, Kosova është një vend sovran, që e ka vendin e saj në Kombet e Bashkuara. “Kosova Sot”: Ka një drojë për Asociacionin, sepse mund të sjellë bosnjëzim të Kosovës. A janë të drejta këto shqetësime të disa politikanëve dhe analistëve kosovarë? Didier Chabert: Statusi i Asociacionit do t’i nënshtrohet kontrollit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, gjë që duhet të largojë këtë shqetësim.

“Kosova Sot”: Avokati i Popullit bëri një raport dhe kritikoi autoritetet për dëbimin e gylenistëve. Si e komentoni këtë rast, që nxiti shkarkimin e ministrit të Brendshëm dhe shefit të Inteligjencës?

Didier Chabert: Lidhur me këtë vetëm dua të kujtoj se të drejtat e njeriut duhet të respektohen kudo dhe në të gjitha rrethanat. Askush nuk mund të arrestohet dhe të mbahet arbitrarisht, është parim me vlerë universale.

“Kosova Sot”: A mund të bëhet Ushtria e Kosovës pa ndryshime kushtetuese, sepse serbët refuzojnë njëherë një gjë të tillë?

Didier Chabert: Transformimi i FSK-së në një forcë të armatosur është një e drejtë për Kosovën, si një shtet sovran. Duhet të bëhet në konsultim me NATOn dhe vendet partnere të Kosovës, të cilat tashmë kontribuojnë në mbështetjen dhe trajnimin e FSK-së. Në këtë kontekst, do të jetë e rëndësishme të konsultohet me vendet mike të Kosovës që kontribuojnë tanimë në sigurinë e saj, në qoftë se rruga e transformimit të saj kushtetues del të jetë e pamundur të shihen opsionet e mundshme.

“Kosova Sot”: Z. ambasador, është vështirë të marrësh sot një vizë Shengen në Prishtinë. Pse janë ashpërsuar kaq fort procedurat?

Didier Chabert: Procedurat e vizave nuk janë strikte vetëm për zonën Shengen, por edhe për vendet mike të Kosovës që nuk janë anëtare të kësaj zone. Në të vërtetë, duhet kohë për të zbatuar procedurat e kontrollit në një kontekst sigurie të vështirë. Megjithatë, dua të theksoj, sa i përket Francës, gati 80% e kërkesave për vizë marrin një përgjigje pozitive

“Kosova Sot”: Në vendimet e Qeverisë sonë shihet se vazhdon politizimi i ndërmarrjeve publike, bordeve etj. Pra, nuk ka meritokraci, por militantizëm. Ku e çon Kosovën kjo praktikë?

Didier Chabert: Ambasada Britanike ka bërë një punë të jashtëzakonshme për të ndihmuar institucionet kosovare të ngrenë një sistem të rekrutimit në agjencitë dhe ndërmarrjet publike, bazuar në meritat, përvojën dhe kualifikimet e kandidatëve. Është thelbësore që kjo procedurë të respektohet. Në disa nga këto institucione ka një mungesë të transparencës dhe të kritereve të sakta në procedurën e rekrutimit, gjë që ngre pyetje legjitime në opinionin publik për motivet e mundshme politike për këto emërime.

Ambienti biznesor duhet të përmirësohet

“Kosova Sot”: Flasim në fund për raportet Francë-Kosovë. Ne çfarë niveli janë këto marrëdhënie aktualisht?

Didier Chabert: Marrëdhëniet e Kosovës dhe Francës kanë qenë gjithmonë shumë të mira, në të gjitha nivelet. Ato evoluuan nga një marrëdhënie e mbështetjes dhe miqësisë në vitet e para pas pavarësisë, kur Franca ishte shumë aktive në UNMIK dhe KFOR, në një marrëdhënie që është gjithmonë miqësore dhe e shkëmbimit, por edhe e bazuar në një partneritet midis dy vendeve të përgjegjshme.

“Kosova Sot”: Çfarë interesi kanë bizneset franceze për të investuar në Kosovë dhe çfarë vërejtjesh kanë eventualisht nëse vijnë këtu që të investojnë?

Didier Chabert: Kosova është një vend që ofron mundësi për investitorët dhe partnerët e huaj. Ambasada franceze në Prishtinë dhe Klubi afarist frankofon (KOCAF) ofrojnë mbështetje për kompanitë franceze që dëshirojnë të hyjnë në tregun e Kosovës. Megjithatë, dëshiroj të theksoj se, ndonëse klima e biznesit po përmirësohet, mbetet shumë për t’u bërë në drejtim të luftimit të korrupsionit dhe për më shumë transparencë gjatë tenderimit, stabilizimi i sektorit të energjisë dhe përmirësimi i sistemit arsimor, në mënyrë që investitorët të mund të gjejnë në Kosovë resurset njerëzore të kualifikuara, për të cilat kanë nevojë.

(Kosova Sot)