Mobi Casa

BE dhe MTI ofrojnë 4 milionë euro grante për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Agjencioni për Zhvillim Rajonal – Lindje (AZHR-Lindje) ka organizuar të mërkurën një takim me bizneset e rajonit të Gjilanit, për t`i informuar ato për projektin e mbështetjes së ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM) në Kosovë, përmes granteve.

Almir Hyseni, drejtor ekzekutiv i AZHR-Lindje, ka thënë se ky projekt ka vlerën 4 milionë euro dhe financohet bashkërisht nga Bashkimi Evropian, përmes Zyrës Ndërlidhëse në Kosovë dhe Ministria e Tregtisë e Industrisë (MTI).

Xhemajl Syla, përfaqësues i MTI-së, tha se ky është një program tjetër, në vazhdën e shumë projekteve mbështetëse për sektorin privat në Kosovë, mbi të cilin bie barra e zhvillimit të vendit, hapja e vendeve të punës dhe rritja e mirëqenies së qytetarëve.

Duke i inkurajuar bizneset që të shfrytëzojnë këtë mundësi, Syla ka thënë se procedurat për aplikim për grantin prej 4 milionë euro të BE dhe MTI, janë shumë të thjeshta. Mjafton që të ketë projekte të mira, ka thënë ai.

Shemsedin Aliu, menaxher i projektit nga IOM-i, ka thënë se programi ka për qëllim të kontribuojë në forcimin e ekonomisë lokale, duke përmirësuar kapacitetet e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme në Kosovë, për të prodhuar në mënyrë efikase dhe të qëndrueshme, në përputhje me standardet dhe praktikat evropiane.

Aliu tha se programi i grantit është i ndarë në dy loto. Në loton e parë, grantet në shuma prej 10-25 mijë euro, janë të destinuara për ndërmarrjet mikro, që kanë prej 1 deri në 9 persona të punësuar, ndërsa grantet e lotos dy, në vlera prej 60-200 mijë euro, janë të përcaktuara për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, me 10-250 të punësuar.

KKGJILAN

Përfituesi i grantit është i obliguar që të marrë pjesë me mjete vetanake në shumën minimale prej 15 për qind, deri në atë maksimale, që është 45 për qind e vlerës së projektit, te lotoja e parë.

Ndërkaq te lotoja e dytë, përfituesi duhet të marrë pjesë me mjete personale prej 25 për qind, që është minimumi, deri në 60 për qind, që është maksimumi i pjesëmarrjes në projektin e përzgjedhur.

Koha për implementim e granteve është prej 6-12 muaj te përfituesit e lotos së parë, përkatësisht 12-20 muaj te përfituesit e lotos së dytë.

Aliu ka sqaruar se ky nuk është program për ndërmarrjet fillestare, por për ato që kanë së paku një vit aktivitet, që janë të regjistruara në Kosovë dhe që janë operacionale.

Afati i fundit për dorëzimin e aplikacioneve është data 30 maj 2014.
Ismajl Januzi, drejtor i Zhvillimit Ekonomik, i ka inkurajuar bizneset që të shfrytëzojnë këtë mundësi për të përfituar grante, duke ofruar për ta gjithë ndihmën e nevojshme të kësaj drejtorie, përmes Zyrës për promovimin e investimeve./rajonipress/