UBT

Bayern ia shtyu pensionin

/ 4 minuta lexim
Eco Higjiena

Altin Lala është duke e shijuar eksperiencën në ekipin e dytë të Bayern Munichut. Futbollisti shqiptar thotë se kjo është krejt një përvojë ndryshe, por që e ka ngazëllyer. 36 vjeçari insiston se oferta e bavarezëve bëri që ta vazhdojë karrierën, pas eksperiencës së shkëlqyeshme dhe të paharrueshme në Hannover.

Të shtunën, për Altin Lalën fillon një kapitull i ri. Pas 14 vjetësh të kaluar në Hannover, futbollisti shqiptar, përkrah dy veteranëve tjerë Stefan Buck e Tobias Schweinsteiger, do ta nisë eksperiencën në futbollin rajonal, respektivisht me ekipin e dytë të Bayern Munichut.

36 vjeçari, i cili i dha lamtumirën edhe Kombëtares shqiptare, e ka dhënë një intervistë për ueb faqen fussball.de, ku ka folur rreth karrierës së tij të begatshme dhe për shijimin e eksperiencës së re te klubi bavarez.

“Tashmë i njoh disa njerëz, por jo të gjithë. Kampionati është krejt ndryshe për mua. E di se do të luajmë me Augsburg II në ndeshjen e parë. Sezoni është interesant, jam mjaft i ngazëllyer. Kemi mjaft lojtarë të talentuar, kjo e bën eksperiencën zbavitëse. Skuadra ka një potencial enorm”, ka thënë fillimisht Lala i cili ka zhvilluar 79 ndeshje me Kombëtaren shqiptare.

“Këtu kaloj shumë mirë, djemtë e rinj i respektojnë dhe i dëgjojnë lojtarët më të moshuar. E shoh se gjërat funksionojnë mirë në Bayern, jo vetëm në aspektin sportiv, por edhe në zhvillimin e personalitetit”, vijoi ai.

Ai mendon se shembulli më i mirë për punën me të rinj është Barcelona, kështu që i këshillon drejtuesit e Bayernit ta ndjekin rrugën e gjigantit katalunas. Pas dhjetë vjetësh në Bundesligë, Lala do ta sprovojë veten në ligën e katërt gjermane.

“Natyrisht, është diçka krejt ndryshe. Por, është mjaft atraktive të luaj për Bayernin dhe të punoj me lojtarët e rinj. Kemi një ekip me lojtarë profesionistë dhe mund të koncentrohemi vetëm te futbolli”, vijoi ai.

Mobi Casa

Ai e pranoi se organizimi në klubin bavarez është shumë më përpara në krahasim me atë të Hannoverit. Kjo e shtyri atë që të vazhdojë me futbollin, pasi e mbylli eksperiencën në ekipin kuq e zi.

“Pasi m’u ofrua mundësia të luaj me Bayernin, vendosa ta vazhdoj karrierën. Në të kundërtën, nuk do të luaja më. Nuk do të shkoja në ligën e dytë gjermane. Bavarezët janë ndër ekipet më të mira të Evropës”, shtoi ai.

Lala thekson se ka shkuar në Bayern, përpos që të luajë vetë, t’i mbështesë lojtarët e rinj në fushë dhe të flasë shumë me ta se si të sillen taktikisht, kur ta vënë nën presion kundërshtarin etj. Ai e lavdëroi edhe trajnerin e tij të ri Mehmet Scholl, për të cilin thotë se i ka idetë e qarta dhe shprehet qartë. “Mban disiplinën, por është i hapur me lojtarët dhe u jep atyre liri”, vazhdoi Lala.

Gjermaninë ai e konsideron si vendin më të mirë në Evropë dhe i falënderon gjermanët që iu gjendën në ditët më të vështira të jetës, kur kishte shkuar në këtë vend nga Shqipëria, e cila gjendej në gjendje të mjerueshme.

Ai nuk e di ende se kur do t’i vendosë këpucët në gozhdë.“Kam kontratë dyvjeçare me Bayernin, më pas të shohim. Pas karrierës do të kthehem në Hannover. Atje është jeta ime, familja ime, ambienti im, aty ku fëmijët e mi shkojnë në shkollë”, thekson Lala.

Eksperiencën në Hannover e konsideron të jashtëzakonshme, ku për 14 vjet e pati mundësinë ta ndihmojë këtë ekip të përmirësohet vazhdimisht, derisa shkoi në kualifikimet për Ligën e Kampionëve.

As ndeshjen e fundit, atë të lamtumirës, Lala nuk do ta harrojë kurrë. Në fund, Lala ka kujtuar edhe momentet e mira që ka kaluar me ish portierin e Hannoverit, Robert Enke, i cili kishte bërë vetëvrasje.(express)