Hidromorava

Bastion i vërtetë i PDK-së, është Kosova dhe e ardhmja e qytetarëve të saj

/ 8 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Selman Ymeri – Zgjedhjet e 8 qershorit 2014, me të drejtë u vlerësuan si zgjedhjet më të suksesshme dhe më korrekte që nga shpallja e pavarësisë e deri më tani. Se populli i Kosovës ka të mishëruar kulturën, përkushtimin dhe qasjen për rritjen e demokracisë në vend, këtë e dëshmuan zgjedhjet e vitit të kaluar dhe ato të këtij viti.

Krahas kësaj do të ishte jo objektive, sikur edhe institucionet kompetente për organizimin e zgjedhjeve të mos i vlerësonim për seriozitetin dhe profesionalizmin e treguar.

Po në fakt çfarë treguan këto zgjedhje?

Në radhë të parë ajo çka bie në sy, është se profilizimi i partive politike paraqet një nga sfidat më të vështira dhe se kjo çështje praktikisht ecën shumë ngadalë, kjo për shumicën e subjekteve politike në skenën kosovare.

Nëse e lëmë anash profilizimin e subjekteve politike, atëherë, atyre u nevojitet që së paku në prag të fushatave parazgjedhore ti përgatisin platformat qeverisëse nëpërmjet të cilave ato pretendojnë të vijnë në pushtet.

Shikuar nga ky këndvështrim mendoj se në këto zgjedhje një nga faktorët determinues në kuptim të rezultatit të arritur janë pikërisht programet qeverisëse, që përndryshe paraqet një sinjal shumë të mirë të përgjegjshmërisë së çdo qytetari karshi votës së vet individuale.

Në të ardhmen debatin përgjatë fushatave zgjedhore më tepër duhet fokusuar në sqarimin e të gjitha detajeve të platformave qeverisëse.

Gjatë gjithë këtyre 2 – 3 muajve të fundit opinioni publik kishte parë aspekte nga performancat parazgjedhore dhe të fushatave zgjedhore, të të gjitha subjekteve politike të stilit: ne jemi partia numër një, ne jemi të parët, ne do të udhëheqim vendin në mandatin e ardhshëm, ky apo ai do të jetë kryeministri i ardhshëm, posti i kryeministrit është i panegociueshëm, e shumë e shumë të tjera.

Sovrani me përcaktimin e vet, me 8 qershor 2014, tregoi se di të çmojë të arriturat e deritashme, sado që ato nuk janë të mjaftueshme, tregoi se di të vlerësoi angazhimet më të mira dhe rezultatet më të prekshme për fatin e qytetarëve të vendit dhe për të ardhmen politike të shtetit të Kosovës, në përgjithësi.

Pas afër gjashtë vite e gjysmë pavarësi, populli tregoi se qeverisja e kësaj periudhe është në rrugën e duhur për arritjen dhe avancimin e të gjitha proceseve, si në planin e brendshëm ashtu edhe në atë të jashtëm.

Populli me votën e vet tregoi se di të çmojë përpjekjet dhe rezultatet e arritura për rritjen e mirëqenies sociale në vend, di të respektojë vendimet e vështira dhe sfiduese të Qeverisë Thaçi-1 dhe të Qeverisë Thaçi-2 për ngritje pagash, për përmirësimin e kushteve për të bërit biznes, për përmirësim të kushteve për studentë, për trajtimin me kujdes institucional të të gjitha kategorive në fushën e bujqësisë në kuptim të grandeve dhe subvencioneve, ashtu siç di të vlerësojë arritjet në fushën e infrastrukturës rrugore dhe të ndërtimit të autostradave.

Në planin e jashtëm, qytetarët treguan se dinë të vlerësojnë arritjet në përmbushjen e kushteve nga ana e shtetit të Kosovës për liberalizimin vizave, pastaj avancimin e procesit dhe arritjen e firmosjes së Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit me BE-në, e cila pritet së shpejti, rritjen dhe ofrimin e numrit prej 2/3 të vendeve të OKB-së, të cilat njohin Republikën e Kosovës shtet të pavarur, anëtarësimin e Kosovës në një varg Organizatash Ndërkombëtare, përfshi Bankën Botërore dhe Fondin Monetarë Ndërkombëtarë.

Qytetarët e kanë parasysh se asnjë shtet i dalë nga lufta dhe në tranzicion, nuk ka arritur ta ketë liberalizimin e vizave dhe Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, pas gjashtë vjet pavarësi.

Qytetarët e kanë të njohur faktin se pesë vende anëtare të BE-së, ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ashtu siç e kanë të qartë faktin se pavarësia e Republikës së Kosovës, shikuar nga këndvështrimi ndërkombëtarë, më në fund është kompromis ndërmjet fuqive e superfuqive të mëdha botërore.

Qytetarët e kanë të njohur faktin se Republika e Kosovës për t’u bërë anëtare e OKB-së, për këtë duhet të votojë “pro” edhe Rusia ose së paku që ajo, pra Rusia, të mos e përdor të drejtën e ashtuquajtur të vetos në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Mobi Casa

Vërtetë, nëse nuk do të qëndronte një mal i tërë me këto fakte, sikur të mos mbizotëronte ky realitet në vend, atëherë si do të shpjegohet e dhëna se PDK-ja doli subjekti politik më i madh në vend.

Kur këtyre argumenteve të lartpërmendura i’a shtojmë edhe rrethanat politike të krijuara në PDK dhe rreth PDK-së, së paku në vitin e fundit, atëherë kredibiliteti për subjektin politik numër një, i dalë nga verdikti i sovranit me 8 qershor 2014, vetëm sa vjen e bëhet më bindës.

Për sa i takon zgjedhjeve parlamentare të vitit 2010, një nga “atutë” e subjekteve politike të cilat PDK-ja i mundi në ato zgjedhje, dhe të ndonjë interpretimi tekanjoz, të cilit i referoheshin, ishte se në zgjedhjet parlamentare 2010, kishte siç thonin ata, vjedhje industriale të votave.

Kur jemi te zgjedhjet parlamentare të vitit 2010, vërtet pa dëshirën që të kthehemi mbrapa mund të thuhet se procesi kishte lëndimet e veta, por prapë se prapë ato “vjedhje industriale të votave”, nuk kishin ndikimin vendimtar që PDK të dilte e para.

Tash kur procesi zgjedhor i vitit 2013 dhe ai i këtij viti u vlerësuan si më të mirët ndonjëherë të organizuar nga KQZ, natyrshëm shtrohet pyetja; si doli përsëri PDK subjekti numër një në vend ?

Sa keq për ata që kanë përdorur “atu” të tilla, tashmë “tregimi” i tyre për vjedhje industriale të votave dhe “tregimi” për bastionin e vetëm të PDK-së, u shuan.
Tashmë bastion i vërtetë i PDK-së, është Kosova dhe e ardhmja e qytetarëve të saj.

Në të vërtetë kështu edhe ka qenë këto shtatë vitet e fundit, pavarësisht se dioptritë politike u ndryshojnë njerëzve, madje edhe shumë shpesh.

Athua cila do të jetë përgjigja në çështjet e parashtruara?

Dhe, në pamundësi për të “gjetur” përgjigje për qytetarët, sepse përgjigjen më të mirë e dha votuesi, disa subjekte politike filluan disa lojëra politike, të cilat për nga aspekti kushtetues, unë, si jurist që jam, besoj se janë kundër kushtetuese. Pikërisht këtu përfundon pikëpamja ime lidhur me këtë çështje, sepse fatmirësisht tani më kemi Gjykatë Kushtetuese e cila mbase do të reflektojë në kërkesat që mund të shtrohen nga palët.

Ajo çka në këto momente është më brengosëse, është çështja se në opinionin e gjerë publik, pas zgjedhjeve të fundit, po përcillet një mesazh vërtetë jo i mirë për demokracinë në vend dhe se klima politike dhe ndoshta një pjesë e energjisë po kanalizohen në kahje jo të duhur.

Në vend se të mobilizohemi të gjithë, të qartësojmë dhe përmbushim objektivat tona, për të mirën e përbashkët për qytetarët dhe të ardhmen shtet-ndërtuese të Republikës së Kosovës, shfaqen tendenca të marrjes me vet-veten.

Më në fund të gjithë duhet të kuptojmë se kudo në botën demokratike zgjedhjet mbahen për të përcaktuar vazhdimin e qeverisjes apo zgjedhjen e ndonjërës nga alternativat qeverisëse të partive opozitare, përcaktimin për programin pretendues më të mirë qeverisës, sprovimin qeverisës si dhe sprovimin e partive politike opozitare, nëse cilado nga ato është e përgatitur për të ardhur në pushtet.

Zgjedhjet të cilës do natyrë qofshin ato në asnjë mënyrë dhe asnjëherë nuk duhet kuptuar si një lojë – bingo, sepse çdo herë para interesit personal apo grupor duhet ta vejmë interesin e përgjithshëm.

Sidoqoftë, jam shumë i bindur se qytetarët e vendit me pjekurinë e arritur, racionalitetin e mendimit, vlerësimit dhe veprimit do të jenë në nivel të përgjegjësive më të larta, në radhë të parë njerëzore, për të mirën e tyre dhe të brezave që vijnë./rajonipress/