RCCOLA

Bashkësitë fetare “jashtë ligjit”

/ 5 minuta lexim
RCCOLA

Raporti për Liritë Fetare në botë, për vitin 2011, i Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili ka analizuar edhe gjendjen në Kosovë, ka vënë në theks edhe ankesat e liderëve fetarë për “mungesën e një mekanizmi që grupet fetare të regjistrohen dhe të fitojnë një status legal”.

Kjo mungesë, sipas këtij raporti, ka shkaktuar një numër sfidash praktike për grupet fetare.

Këtë e pohojnë edhe zyrtarët e zyrës së kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe vet përfaqësuesit e disa grupeve fetare në Kosovë.
Besim Kajtazi, drejtor i zyrës ligjore në kuadër të zyrës së kryeministrit të Kosovës, shpjegon arsyet se pse grupet fetare në Kosovë kanë mbetur, siç thuhet “jashtë ligjit”.

“Bashkësitë fetare në Kosovë, deri në nxjerrjen e ligjit të ri për organizatat joqeveritare, kanë qenë të regjistruara si organizata joqeveritare. Me nxjerrjen e ligjit të ri për organizatat joqeveritare, bashkësitë fetare janë përjashtuar nga ky ligj dhe si të tilla, kanë mbetur të papërfshira në asnjë ligj tjetër”.

“Në këtë mënyrë, është parë si nevojë e kohës që të bëhet ndryshim-plotësimi i ligjit për lirinë fetare, ku do të rregullohet jo vetëm çështja e regjistrimit të bashkësive të ndryshme fetare në Kosovë, por do të rregullohet dhe përmirësohet në përgjithësi pozita e bashkësive fetare të njohura në Kosovë, si dhe atyre që do të regjistrohen në të ardhmen”, ka thënë Kajtazi për Radion Evropa e Lirë.

Në anën tjetër, Resul Rexhepi, sekretar i përgjithshëm i kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, thotë se konstatimet në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit, lidhur me komunitetet fetare, janë të sakta.

ARKATANA

Sipas tij, tash e 13 vjet pas luftës, vazhdon të mungojë ligji i cili do ta precizonte pozitën juridike të bashkësive fetare, dhe ky fakt edhe Bashkësisë Islame të Kosovës i ka sjellë mjaft probleme.

“Jemi përballur me sfida të ndryshme. Jemi përballur me probleme praktike, madje edhe banale, do të thosha kushtimisht. Për shembull, ne e kemi vështirë të regjistrojmë makinë zyrtare, sepse ata zotërinjtë konsiderojnë që ose jemi ndonjë OJQ- gjë që ne nuk jemi – ose ndonjë tretman, në qoftë se e kemi të veçantë, na thonë:’zotëri, vetëm dëshmojeni se e keni tretmanin e veçantë dhe do ta pranojmë’. Ose, ta kërkojnë numrin e biznesit. Por, ne nuk jemi një shtëpi biznesi ose diçka që merret me biznes”, thotë Rexhepi.

Don Shan Zefi, kancelar ipeshkvor i Kosovës, thekson se mungesa e ligjit që do të precizonte pozitën juridike të bashkësive fetare, ka shkaktuar vështirësi edhe për Kishën Katolike të Kosovës.
“Deri më tash, është e vërtetë se nuk i kemi pasur privilegjet, të cilat i garanton Kushtetuta e Kosovës. Ne kemi mundur që ndoshta në bazë të Kushtetutës ose ligjit, i cili pritet të aprovohet, të lirohemi nga dogana, sepse ne nuk jemi një parti ose ndonjë shoqatë fitimprurëse, por ne, të them ashtu, më tepër kemi karakterin fetar ose humanitar që punojmë për të tjerët”, thekson Zefi.

Megjithatë, përfaqësuesit e komuniteteve fetare, thotë se janë optimistë dhe se do të vazhdojnë të jenë të durueshëm, sepse, sipas pritjeve të tyre, së shpejti do të nxirret ligji që rregullon çështjet, të cilat i shqetësojnë.

Ndërkaq, Kajtazi, siguron se projektligji i ri do t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës brenda një kohe të shkurtër.
“Gjithsesi, në kuadër të programit legjislativ, të parashikuar nga qeveria për vitin 2012, ky projektligj është i paraparë që të përcillet gjatë këtij viti dhe shpresojmë që do të miratohet në Kuvend, po ashtu gjatë këtij viti. Aq më tepër, e them këtë, sepse, tashmë i kemi kryer të gjitha konsultimet e nevojshme me të gjitha bashkësitë fetare që veprojnë në Kosovë. kemi pasur debate të ndryshme, por edhe takime, veç e veç, me të gjitha bashkësitë fetare që veprojnë në Kosovë. Tash, konsiderojmë se jemi se jemi në fazën finale të aprovimit të projektligjit për liritë fetare nga Qeveria e Republikës së Kosovës”.

Ndryshe, raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për liritë fetare, ka nënvizuar se deri më tash, në mungesë të ligjit përkatës për liritë fetare, edhe pse shumë grupe kanë gjetur metoda alternative, shumë nga ta kanë raportuar sfida në pronësimin dhe regjistrimin e pronave, makinave, hapjes së xhirollogarive bankare dhe pagesës së tatimeve dhe pagave të të punësuarve.