Bashkëpunëtorët e duan Isa Mustafën në krye të Qeverisë
Bashkëpunëtorët e ngushtë të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk dëshirojnë që Isa Mustafa të vazhdojë të jetë në krye të Komunës së Prishtinës. Ata vlerësojnë se ka ardhur koha që lideri i tyre të marrë udhëheqjen e Qeverisë së Kosovës. Madje shkojnë aq larg për të konstatuar se kjo nuk është nevojë e Isa Mustafës, por e vetë Kosovës.
“Me sa kuptoj unë, nuk ka nevojë Isa Mustafa me u ba kryeministër i Kosovës, por Kosova ka nevojë që për kryeministër ta ketë zotëri Isa Mustafën”, ka thënë kryetari i Degës së LDK-së në Prizren, Eqrem Kryeziu, gjatë ceremonisë së shënimit të 23-vjetorit të themelimit të kësaj dege.
Ai ka shtuar se fakti që lideri i LDK-së nuk ka ambicie të sëmurë për t’u bërë dikushi është “garancia më e madhe se duke qenë kryeministër i ardhshëm i Kosovës, Kosova do të ketë përparim cilësor”.
“Unë besoj në njerëz që kanë distancë nga pushteti e jo që të futen me këmbë në të e më pastaj e harrojnë edhe Kosovën, edhe popullin e saj”, ka deklaruar Kryeziu.
Pohimet e njërit prej figurave karizmatike të LDK-së janë konfirmuar edhe nga kryetari i LDK-së. Isa Mustafa ka bërë të ditur se kjo parti po bëhet gati për zgjedhjet lokale dhe nacionale, me qëllim që të marrë pushtetin dhe t’ua kthejë dinjitetin njerëzve dhe zhvillimin shtetit, ngase qeverisja aktuale i ka shkaktuar dëme të mëdha vendit.
“Ju e meritoni një pushtet të LDK-së edhe këtu, edhe në nivel të Kosovës, sepse është dëm që Kosova të udhëhiqet apo të qeveriset nga këta që po qeverisin dhe që po e shpallin se do ta qeverisin edhe më tutje, sepse ne dëshirojmë që të kemi qeverisës normalë, njerëz që janë normalë, që sillen në mënyrë normale dhe të cilët i aplikojnë kutet e sjelljet tradicionale e normale. Ju siguroj se LDK-ja do ta bëj këtë”, ka thënë Mustafa të dielën në Prizren.
“Traditë e Kosovës nuk ka qenë vjedhja. Traditë e Kosovës nuk ka qenë grabitja. Këto duhet t’i eliminojmë, sepse nuk është në traditën e familjeve tona.Ne dëshirojmë që shtetin ta ndërtojmë mbi pasqyrën e familjes sonë…”, ka deklaruar Mustafa. Ai ka vlerësuar se në këtë mënyrë do të sendërtohet pushteti edhe në Prizren ku, sipas tij, nuk do të lejohet më konstruktimi i rezultateve zgjedhore. “Ky mandat është mandat i LDK-së, se i ka fituar zgjedhjet. Rezultatet që janë konstruktuar është një çështje tjetër. Por nuk do të pranojmë më konstruktim të rezultateve. Prizreni është i LDK-së dhe ju nuk meritoni pushtet tjetër. Ne e marrim për obligim që ta fitojmë Prizrenin dhe ta udhëheqim sipas kuteve kulturore, familjare, etike të popullatës së Prizrenit”, ka thënë Mustafa.
Ndërsa praninë e aktivistëve në sallë, Eqrem Kryeziu e ka cilësuar si një garanci gati konkrete se LDK-ja do të hyjë përsëri në beteja epike, për të realizuar të pamundshmen, respektivisht për të mposhtur mjerimin dhe varfërinë në Kosovë, në krye me Isa Mustafën.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka bërë të ditur se ky subjekt politik do të mbështesë institucionet e vendit në zgjidhjen e çështjes së veriut, pasi që gjendja aktuale atje po e mban peng Kosovën dhe popullin e saj. Ai ka theksuar se për këtë arsye është pranuar rezoluta e Kuvendit të Kosovës për dialog me Serbinë, në mënyrë që të gjendet rruga për shtrirjen e sovranitetit edhe në këtë pjesë “problematike” të vendit.(koha)


