Mobi Casa

Bashkëjetesa me ‘kapitalizmin partokratik-shtetëror’

/ 6 minuta lexim
ARKATANA

Nga Raif Ramabaja – Shteti më i ri i Evropës, Republika e Kosovës edhe 17 vjet pas çlirimit dhe 8 vjet nga shpallja e pavarësisë nuk ka një strategji të qartë të zhvillimit ekonomik. Na mungon vizioni dhe përcaktimi gjeostrategjik se në cilin drejtim dëshirojmë të shkojmë dhe të zhvillohemi. Në ndërkohë po ballafaqohemi me rregullat dhe ligjet e një kapitalizmi të egër.

Asnjë shoqëri e as ajo e Kosovës nuk mund të ketë sukses në qoftë se institucionet formohen me dekret partiak. Ato duhen të dalin dhe të formohen nga sistemi i vlerave. Përderisa kemi një sistem të vlerave, i cili vetëm në mënyrë deklarative është për ekonomi të tregut, shoqëri civile dhe demokraci, ndërsa nuk ka një stabilitet juridik mbi pronën, ku njerëzit kanë parandjenjën që esenca është në rishpërndarjen e jo në krijimin e fitimit (vlerës së re) e ku shteti shumë shpesh revidon procedurat dhe lojaliteti është më i rëndësishëm se kompetenca, atëherë mund të konkludojmë se kemi një sistem të padefinuar ekonomik në Kosovë.

Në Kosovë, me keqardhje mund të themi se, më shumë kemi ekonomi partiake sesa ekonomi të tregut. Ne ende kemi dilema se a dëshirojmë kapitalizëm liberal apo kapitalizëm social? Këtu edhe po përzihen gjërat. Kosova ka dilemë se në cilin drejtim dëshiron të zhvillohet. Andaj, është vështirë të jepet përgjigje në pyetjen se në cilin sistem ekonomia jonë po funksionon – në kapitalizëm apo mendojmë se socializmi mund të funksionojë në një formë “kosovarisht”?

Edhe në Kosovë si në shtetet fqinje “populli mendon edhe më tutje se pushteti është në parti dhe jo në institucione të shtetit”. Sado që kjo nuk na pëlqen, praktika e deritanishme ka treguar se qytetarët kanë të drejtë.

Në anën tjetër, në praktikë kemi kapitalizëm partokratik-shtetëror, kapitalizëm oligarkik dhe kapitalizëm transnacional, ku kompanitë e huaja janë veçanërisht të mbrojtura dhe të privilegjuara. Ndërsa për dalje eventuale nga kjo krizë askush nuk ka program adekuat.

Problemi i Kosovës është më i madh se që po e paraqesin politikanët tanë. Po shemben muret, e ne po e lyejmë fasadën. Duhet të kthehemi në themel, që shtëpia të mos shembet – të ndërtojmë një shtet jo të shtrenjtë, efikas, të arsimuar, jokorruptiv dhe të qëndrueshëm. Na duhet shumë kohë t’i vendosim themelet dhe të përcaktojmë objektivat reale të politikës shtetërore. Sipas gjasave, shteti është produkt i komplikuar dhe është duke u ndërtuar duke mos e ditur se sa delikate është kjo punë. Pa shtet juridik s’mund të ketë as ekonomi të suksesshme. Për këtë edhe investitorët po hezitojnë të vijnë e të investojnë në Kosovë. Raporti mes ekonomisë dhe shtetit juridik është ndoshta çështja më kryesore e një shoqërie. Esenca është se kush po e ndërton shtetin juridik, për interes të kujt po ndërtohet dhe çfarë sistemi vlerash kemi? Një shtet juridik, qytetarët dhe bizneset e kanë dhe e përjetojnë si aleat të tyre, e në të kundërtën ai nuk është në funksion të qytetarëve. Mu për këtë shteti është produkti më i rëndësishëm i një shoqërie.

Kemi shumë kafene e asnjë fabrikë

Mobi Casa

Në Kosovë ofrohen aq shumë shërbime, mirëpo në anën tjetër nuk kemi industri. Në shumicën e qyteteve të Kosovës kemi me dhjetëra kafene, banka dhe parti politike e asnjë fabrikë e që kjo nuk është aspak në rregull. Oligarkët janë edhe borxhlinjtë më të mëdhenj të shtetit. Disa persona kanë pasuri që është e paimagjinueshme edhe për rrethana evropiane. Dhe për çudi, askush nuk merret me këtë dukuri të shëmtuar, së paku nuk po duket. Ekonomia joformale ende ka pjesëmarrje të madhe dhe po e rrënon shtetin dhe bizneset legale.

Tani ekonomia më tepër i përngjan një kazani në të cilin askush nuk qet asgjë, por të gjithë luftojnë për garuzhde (kutllaq). I ngjanë një organizmi që ka metabolizëm të keq, i cili sa më tepër që ha aq më tepër dobësohet. Si problem në vete paraqitet edhe jokonkurrueshmëria e ekonomisë kosovare. Në njërën anë kemi sistem monetar që dënon kursimet e në anën tjetër kemi fitimet e bankave që janë me miliona euro.

Ta ndërtojmë shtetin nga themeli

Edhe pse deklarohet që Kosova ka një rritje ekonomike 3-4 % në vit, nuk kënaq mënyra dhe struktura e krijimit të GDP-së. Është evidente se më shumë po shpenzojmë se që po prodhojmë, si shtet shumë më tepër importojmë sesa që eksportojmë. Kjo gjendje është e paqëndrueshme e për ta shmangur këtë duhen reforma rrënjësore. Fillimisht duhet filluar nga reforma në arsim e pastaj të reformohet i tërë sistemi shoqëror.

Një nga lajthitjet tona kryesore qëndron në zgjidhjen e të gjitha problemeve kur marrim borxhe, e anuitetet pastaj do t’i paguajnë nipërit tanë dhe se hyrja në BE do t’i zgjidhë të gjitha çështjet e Kosovës. Një shtet i vogël si Kosova nuk është i qëndrueshëm pa ekspansion të eksportit. Këtu ata që eksportojnë humbin, ndërsa ata që importojnë fitojnë. Problemet tona duhet vetë t’i zgjidhim. Së fundmi në tregun tonë më shumë kemi blerës nga fshati që blejnë produkte bujqësore, ndërkohë që shumë nga ato do të kishin pasur mundësi t’i kultivonin vetë, duke pasur parasysh se resursi ynë kryesor është toka dhe bujqësia. Fatkeqësisht duket se shteti i ka mësuar se si duhet ngrënë peshkun, në vend që t’i mësojë se si ta peshkojnë atë.

Në anën tjetër edhe BE-ja, edhe FMN-ja shpesh na tregojnë se e kemi ekonominë e sëmurë, por nuk na ofrojnë terapinë e duhur se si ta shërojmë. Të gjitha buxhetet tona, por edhe ky i fundit, e kanë në veten e tyre deficitin e kjo është një pasojë e një deficiti sistematik të tërë shoqërisë kosovare. Kjo tregon se ne pa mëshirë e shpenzojmë ardhmërinë tonë. Disa thonë se buxhetin e Kosovës e mbushin bizneset tona, doganat dhe ATK-ja. Por, duhet ta dimë se buxhetin e mbush vetëm qytetari i Kosovës, i cili është konsumatori që paguan edhe doganën edhe TVSH-në me rastin e blerjes së mallrave të ndryshme.