Bashkë kundër Gruevskit!

Lideri i opozitës shqiptare, Menduh Thaçi, ka deklaruar të enjten se do të mbështesë rivalin e tij, liderin e BDI-së, Ali Ahmeti, për të parandaluar miratimin e ligjit të ‘branitellave’.

Thaçi pas takimit që realizoi në ambasadën amerikane me zv/ndihmësin e sekretares amerikane të Shtetit, Philip Reeker, tha se nëse BDI-ja mendon se përmes zgjedhjeve të parakohshme parlamentare mund të parandalojë miratimin e këtij ligji, ai u shpreh i gatshëm të ulet e të bisedojë me Ahmetin për këtë çështje.

“Unë seriozisht do t’i mbështesë tentimet e BDI-së për ta parandaluar sjelljen e këtij ligji shumë të keq, dhe seriozisht nëse ata mendojnë se ky proces mund të bllokohet nëpërmjet zgjedhjeve të parakohshme, jam i gatshëm që të ulemi dhe të bisedojmë, të shohim se si të dalim prej kësaj situate”, tha lideri i Partisë Demokratike Shqiptare.

“Variante të tjera nuk i preferoj dhe nuk i bëj. Shumë shaka kanë bërë mes vete, mirëpo shakatë në kuadër të raporteve ndëretnike zakonisht janë të rrezikshme dhe të turpërojnë. Unë mendoj se ata pas katër vjet mandati të cilën e patën seriozisht duhet të qëndrojnë këtë herë”, tha Thaçi, raporton Alsat M.

Lideri i PDSH-së i bëri këto komente pasi ditët e fundit janë shtuar tensionet mes dy partive të koalicionit qeverisës, BDI-së shqiptare dhe VMRO-DMNE-së maqedonase. Vendosja e kurorave me lule dhe nderimi që bënë oficerët e ARM-së në varrezat e dëshmorëve të UÇK-së në Sllupçan, ka qenë shkëndija e “zjarrit” të cilën kryeministri Nikola Gruevski iu kundërpërgjigj BDI-së me ligj për “branitellat”, pa përfshirë pjesëtarët e UÇK-së.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).