Uji Dea

Barazimi epilog real i ndeshjes

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Gjilani – Llapi 3:3 (1:1). Shënues: Arifi ’43, Bajraliu ’65 (pen), Hyseni ‘79 – Hyseni ’10, Islamaj ’54, Ruhani ’89.

Stadiumi i qytetit në Gjilan. Shikues: 300. Gjyqtarë: Nuza, Muriqi, Hysenaj. Kartoni i kuq: Shaqiri (Gjilani) Kartoni i verdhë:Ibishi, Hyseni (Llapi)

Gjilani: Gagica, Hyseni, Arifi, Ramadani, Shaqiri, Syla (Dauti), Rexhepi, Maliqi (Bajraliu), Salihu, Muja, Hasani (Musliu)

Llapi: Elezi, Agushi, Ruhani, Bl.Emini, Gashi, Behluli (Islamaj), Be. Emini, Zhjeqi, Ibishi, Mehmeti (Latifi), Hyseni (Sylejmani).

Futbollistët e Gjilanit nuk kanë arritur që stinorin ta fillojnë me fitore kundër skuadrës së Llapit duke pësuar gol në minutën e fundit të ndeshjes.

Fillimi i ka takuar vendasve të cilët kishin iniciativën, por ishin mysafirët që shënuan të parët përmes këmbëshpejtit Bashkim Hyseni që del i vetmuar para portierit gjilanas, duke e mposhtur me lehtësi.

Hidromorava

Iniciativa e vendasve vinte duke u shtuar me kalimin e kohës dhe dy rastet e Premton Mujës në minutat 25 dhe 39, lajmëronin se goli do të vinte shpejt. Kështu vetëm dy minuta para përfundimit të pjesës së parë, Leutrim Arifi ka shënuar nga afërsia, pasi portieri Elezi nuk arriti të ndal goditjen e Hasanit nga gjuajtja e lirë, duke e dëbuar për shkurtazi deri në këmbët e Arifit që nuk e kishte të vështir për të shënuar gol.

Ishin përsëri mysafirët që në pjesën e dytë shënojnë të parët, ndërsa shënues ishte Islamaj që ishte inkuadruar vetëm dy minuta më herët në lojë, duke shfrytëzuar gabimin e mbrojtësit Ramadani që i merr topin dhe me mjeshtri nga afërsia e mposht portierin e Gjilanit për rezultatin 2:1.

Në minutën e 65, futbollisti Musliu që ishte futur në lojë në pjesën e dytë ka kaluar disa mbrojtës mysafirë, por në fund është ndalur nga Agushi, ndërsa gjyqtari Genc Nuza akordon penallti për Gjilanin që i pa gabueshëm ishte Bajraliu për ta barazuar rezultatin.

Në minutën e 75 vendasit mbeten me një lojtar më pak në fushë, pasi Shaqiri ndëshkohet direkt më kartonë të kuq, pasi e godet sulmuesin Hyseni me grusht.

Megjithatë, vendasit arrin që të shënojnë edhe golin e tretë në këtë ndeshje përmes kapitenit Hyseni që ka arritur vetëm të ndërroj drejtimin e topit të harkuar nga Bajraliu, për të shënuar kështu golin e tretë për Gjilanin.

Mysafirët pas pësimit të golit me të gjitha forcat sulmojnë në portën e Gjilanit dhe këtë e kanë shfrytëzuar për të shënuar golin e barazimit në minutën e fundit të ndeshjes, ndërsa golashënues ishte mbrojtësi Ruhani që shënon gol nga afërsia./rajonipress/