Banorët e Llashticës mbesin pa transport publik, qytetarët detyrohen të udhëtojnë me taksi
Gjilan – Banorët e fshatit Llashticë po përballen me mungesën e transportit publik, pasi, sipas tyre, linjat e autobusëve janë ndërprerë papritur që nga 29 korriku 2026, dy ditë para afatit të paraparë për përfundimin e shërbimit.
Qytetari Ymer Rashiti thotë se ndërprerja e linjave ka krijuar vështirësi të mëdha për banorët, të cilët tashmë detyrohen të përdorin taksitë për të kryer obligimet e përditshme.
“Që nga 29 korriku banorët e Llashticës kanë mbetur pa shërbime të transportit për udhëtarë, edhe pse sipas njoftimeve shërbimi duhej të vazhdonte deri më 1 gusht. Linjat e autobusëve u ndërprenë dy ditë më herët, pa asnjë paralajmërim,” është shprehur Rashiti.
Ai thekson se një situatë e tillë nuk ka ndodhur asnjëherë më parë, duke kujtuar se për më shumë se 50 vjet banorët e këtij fshati kanë pasur transport të rregullt publik.
Sipas tij, procesi i ndërrimit të kompanive transportuese është shoqëruar me parregullsi dhe mungesë transparence.
“Ka pasur parregullsi dhe nuk janë respektuar kriteret gjatë ndërrimit të kompanive. Nuk dihet nëse janë lidhur kontratat e nevojshme dhe për këtë dikush duhet të japë përgjegjësi. Është e papranueshme që linjat e autobusëve të ndërpriten pa asnjë paralajmërim, duke lënë qytetarët pa alternativë transporti,” ka deklaruar Rashiti.
Banorët kërkojnë nga institucionet komunale dhe organet përgjegjëse që të sqarojnë arsyet e ndërprerjes së shërbimit dhe të ndërmarrin masa urgjente për rikthimin e transportit publik, në mënyrë që qytetarët të mos vazhdojnë të përballen me kosto shtesë dhe vështirësi në lëvizje./rajonipress/


