UBT

Banorët e Karaçevës së Poshtme paralajmërojnë rezistencë të ashpër ndaj provokimeve të ushtrisë serbe: “Karaçeva është e Kosovës, nuk e lëshojmë!”

/ 3 minuta lexim
Eco Higjiena

Kamenicë – Me një letër publike plot revoltë dhe pakënaqësi, Selver Lenjani, kryetar i Bashkësisë Lokale të Karaçevës së Poshtme, ka nxjerrë në dritë shqetësimet e thella të banorëve ndaj mungesës së reagimit të institucioneve më të larta të Kosovës për situatën e tensionuar në brezin kufitar me Serbinë.

Banorët e kësaj zone, të cilët kanë ruajtur brezat dhe tokat e tyre për gjenerata, ndihen të braktisur dhe të lënë vetëm në përballjen me ushtrinë serbe, e cila vazhdon të zhvillojë ushtrime ushtarake të përmasave të mëdha, duke përfshirë helikopterë, mjete motorike, njësitë paramilitare dhe policore.

Lenjani thekson se Serbia po pretendon të shkëputë pjesë të brezit kufitar dhe ta llogarisë si territor të saj, duke i dhënë kësaj situate përmasa të rrezikshme dhe të papranueshme.

“Ne nuk kemi askujt që t’i falim tokat tona. Karaçeva është e Kosovës, toka e stërgjyshërve tanë, e trashëguar brez pas brezi. Nuk do ta lëshojmë kurrë!” shkruan Lenjani me ton të vendosur dhe të ashpër.

Ai shprehet me revoltë ndaj udhëheqësve më të lartë të shtetit, duke akuzuar Presidenten Vjosa Osmani, Kryeministrin Albin Kurti dhe Kryeparlamentarin Glauk Konjufca se nuk kanë treguar asnjë interes real për mbrojtjen e brezit kufitar, duke u fokusuar vetëm tek interesat e tyre politike dhe përfitimet personale.

“Institucionet e Kosovës kanë qenë të informuara qysh me shkrim. Letrat tona, ankesat, kërkesat, të gjitha janë injoruar. Ne, banorët, nuk mund të presim më. Nuk mund të shohim vatrat tona të rrezikohen dhe udhëheqësit të marrin vendime për ne pa na pyetur,” thekson kryetari i Bashkësisë Lokale.

FIDANISHTJA

Në këtë kontekst, banorët e Karaçevës së Poshtme janë angazhuar në një mobilizim të jashtëzakonshëm për të ruajtur tokën dhe vatrat e tyre, duke shprehur një përpjekje titanike për të qëndruar në vendet ku kanë lindur dhe janë rritur.

Lenjani nënvizon se kjo rezistencë është jo vetëm për tokën, por edhe për identitetin dhe trashëgiminë e një brezi të tërë, duke paralajmëruar se çdo përpjekje për të ndarë ose për të shkelur tokat shqiptare do të gjejë përgjigjen e vendosur të komunitetit.

Ai gjithashtu përmend bashkëpunimin dhe mbështetjen e mundshme të partnerëve ndërkombëtarë si NATO, SHBA dhe Bashkimi Evropian, por thekson se mbrojtja e brezit kufitar mbetet detyrë kryesore e shtetit dhe qytetarëve të vet.

“Brezi kufitar nuk është për diskutim, nuk është për negociata. Kjo tokë shqiptare, toka ilirjane dhe dardane, është trashëgimi e stërgjyshërve tanë. Nuk do të pranojmë kompromis pa u konsultuar me komunitetin lokal. Ne jemi këtu, të vendosur dhe të gatshëm për të mbrojtur çdo pëllëmbë toke,” përfundon deklarata e Lenjanit.

Banorët e Karaçevës së Poshtme paralajmërojnë se do të qëndrojnë në vatrat e tyre dhe nuk do të lejojnë asnjë cenim të territorit të tyre. Situata mbetet e tensionuar, dhe komuniteti lokal pret reagim të menjëhershëm dhe konkret nga institucionet e Kosovës për të shmangur konflikte të mundshme në këtë zonë strategjike kufitare./rajonipress/