ARKATANA

Banorët e brezit kufitar në Karaçevë të Poshtme me kërkesë publike ndaj kryeministrit Kurti

/ 2 minuta lexim
Hidromorava

Kamenicë – Banorët e brezit kufitar në Karaçevë të Poshtme të Kamenicës kanë shprehur pakënaqësinë e tyre lidhur me përfaqësimin e Anamoravës në Qeverinë e Republikës së Kosovës. Përmes një reagimi publik, Selver Lenjani, në emër të banorëve të kësaj zone, ka adresuar një kërkesë ndaj kryeministrit Albin Kurti.

Sipas tij, emërimi i kabinetit qeveritar pa asnjë ministër nga Kamenica, Gjilani apo Viti ka shkaktuar zhgënjim të thellë në këtë rajon. “Votat i morët në Kamenicë, në Gjilan dhe në gjithë Anamoravën, por në përbërjen e Qeverisë nuk u përfshi asnjë përfaqësues nga ky rajon,” thuhet në reagimin e Lenjanit.

Në reagim thuhet se banorët e brezit kufitar ndihen të anashkaluar, pavarësisht mbështetjes elektorale që i kanë dhënë shumicës qeverisëse. Ata vlerësojnë se në Anamoravë ka kuadro të përgatitura që do të mund të përfaqësonin denjësisht rajonin në nivel qendror.

United Hospital

Në reagim përmendet edhe ndërprerja e projektit të autostradës Lipjan-Gjilan-Dheu i Bardhë, për të cilin banorët thonë se mbetet një nga premtimet e parealizuara që ka ndikuar drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik të zonës. Po ashtu, kërkohet më shumë vëmendje institucionale për projektet infrastrukturore dhe zhvillimore në Anamoravë.

Në mesazhin e tyre, banorët rikujtojnë sakrificën e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së vlerave shtetformuese dhe të partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ata shprehin mirënjohje për kontributin e të gjithë atyre që kanë dhënë jetën për lirinë e vendit, duke kërkuar që institucionet aktuale të punojnë në frymën e përgjegjësisë dhe përfaqësimit të barabartë.

Reagimi i banorëve të Karaçevës së Poshtme rikthen në vëmendje debatin për balancën rajonale në institucionet qendrore dhe nevojën për përfshirje më të gjerë të Anamoravës në vendimmarrje./rajonipress/