Bandat e pushtetit, bllokadë e VETTING-ut
Nëse depërton ndonjë i pavarur, në momentin e parë që i kundërshton politikanët e korruptuar, menjëherë fillon gjuetia e shtrigave për atë hetues, gjyqtar apo prokuror.
“VETTING-u në Kosovë është domosdoshmëri jetike, pasi ai do t’i pastronte tërë sferat dhe institucionet e shtetit: si atë legjislativ, ekzekutiv, gjyqësor dhe ato shoqërore, mediatike, akademiko-shkencore dhe intelektuale, të cilat janë kapur nga injoranca dhe injorantët, nga të paaftët, të korruptuarit, të papërgjegjshmit e të kriminalizuarit, prej të cilëve mbahet peng shteti: shoqëria, ekonomia, progresi, zhvillimi dhe integrimi i Kosovës”, thotë analisti Skënder Kapiti për “Kosova Sot”
Institucionet e Kosovës, Qeveria, Kuvendi dhe krerët e drejtësisë kosovare, ka kohë që po e injorojnë Ligjin për Vetting-un, ligj ky që në Shqipëri po redukton në masë të madhe të gjithë ata që nuk i justifikojnë pasuritë e tyre të mëdha e të pajustifikueshme.
Sipas njohësve të kësaj fushe, duke parë nivelin e lartë të korrupsionit në të gjitha fushat, edhe në drejtësi, është e pakuptimtë t’i dëgjojmë politikanët se si flasin për drejtësinë, kur janë pikërisht ata që në bashkëpunim me nëntokën kriminale i zgjodhën këta gjyqtarë e prokurorë, nga i pari deri tek i fundit, duke deleguar njerëzit e tyre, të cilët pastaj iu shërbejnë ekskluzivisht politikës së inkriminuar dhe nëntokës kriminale dhe jo asnjëherë ligjit e drejtësisë së vërtetë, dhe tani janë kundër bërjes së Ligjit të VETTING-ut.
Sipas ekspertit të kësaj fushe, Skënder Kapiti,VETTING-un e kanë frikë në Kosovë që të gjithë: politikanët, pushtetarët e pushtetit qendror dhe ata lokal; e kanë frikë gjyqtarët dhe prokurorët, sepse këta janë të korruptuarit dhe të kriminalizuarit e pushtetshëm, të cilët i kanë kapur shtetin, pushtetin, drejtësinë dhe shoqërinë në Kosovë. “Kur pushteti dhe shteti kapen nga mafio-oligarkia kriminalo-korruptive, atëherë ai shtet është dhe funksionon si një shtet antishtet dhe thellësisht, si një shtet antipopullor. Karakterin antipopullor te një shteti ia jep regjimi antipopullor. Dhe, regjim antipopullor do të thotë ka atëherë kur regjimi dhe pushteti, drejtësia dhe tërë sistemi i korruptuar dhe i kriminalizuar instalohen në sistem, siç janë realitetet në të dyja shtetet shqiptare”, u shpreh ai.
Kapiti: VETTING-u, tmerri i politikanëve
“Sistemi i drejtësisë dhe politika në Kosovë kanë dy herë më shumë frikë nga VETTING-u. Kjo shpjegohet me faktin se politikanët e lartë dhe drejtësia në Kosovë janë mbërthyer nga frika dhe paniku, pasi ata po e shikojnë se në Shqipëri sapo ka filluar së funksionuari VETTING-u në drejtësi dhe me dhjetëra e dhjetëra gjyqtarë e prokurorë, duke filluar me ata të Gjykatës Kushtetuese , të asaj të Lartë, që me shkrirjen e Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe me ngritjen e SPAK-ut dhe të Byrosë Kombëtare të Hetimit, të cilët do të peshkojnë dhe do të kapin edhe ‘peshqit e mëdhenj’ të krimit dhe të korrupsionit të politikanëve e të pushtetarëve të lartë në Shqipëri.
Dhe, prandaj politikanët, pushtetarët dhe gjyqtarët e Kosovës e kanë të sigurt se një VETTING edhe në Kosovë do të ishte një tmerr dhe fatkeqësi ndëshkimore për ta, për krimin, hajdutërinë, për korrupsionin, por edhe për tradhtinë, e shumë prej tyre”, tha Kapiti për “Kosova Sot”.
Burjani: Funksionarët e drejtësisë, me kontot plot
Sipas prof. Blerim Burjanit, politika e di fuqinë e ndikimit kundër korrupsionit në drejtësi të modelit VETTING, prandaj nuk e bën atë, sepse ballafaqohet me vetveten. “Vetting-u i vetmi instrument, i cili e pastron korrupsionin, pra përfitimin pa bazë dhe tani është e qartë pse Kuvendi i Kosovës dhe partitë nuk e pranojnë Vetting-un për shkak pasurimit pa bazë të shumë funksionarëve të drejtësisë dhe politikës.
Përfitimi pa bazë dhe mos mundësia për të treguar prejardhjen e pasurisë shkakton konfiskimin e pasurisë, pastaj kontratat e dyfishta të gjyqtarëve dhe prokurorëve janë problemi më serioz që është lejuar nga pushteti politik. Kjo i shndërron punëtorët e drejtësisë, pra gjyqtarët dhe prokurorët i shndërron në biznesmenë për të bërë para, përkundër garancive kontraktuese deri në pension për këtë kategori dhe rritjes së pagës, që kanë më të madhe në shtet”, theksoi Burjani për “Kosova Sot”.
Preteni: VETTING-u ua nxjerr në shesh të palarat e të gjithë zyrtarëve të inkriminuar
Ish-kreu i AKK-së, Hasan Preteni, mendon që dhe trazirat dhe protestat e fundit që ndodhën në Shqipëri janë rezultat i zbatimit të VETTING-ut, i cili po nxjerr në shesh të palarat e të gjithë zyrtarëve të inkriminuar, prandaj në Kosovë hezitojnë ta bëjnë një gjë të tillë, që do të rrezikonte politikën e inkriminuar. “Nevojitet vetëm një shkëndijë e vogël se po fillon diçka e pastaj nuk do të ketë të ndalur.
Do të aktivizohen informatorët dhe do të ketë informata që duhet në fund të përfundojnë me burgosjen e të gjithë faqezinjve, zhvatësve dhe kriminelëve. E këta të tanishmit i dinë këto gjëra dhe për atë nuk e fillojnë këtë angazhim. Nuk e prenë degën në të cilën qëndrojnë. Këta merren me ndryshimin e ligjeve, kodeve dhe shpenzojnë energji të panevojshme në gjera të kota. Të përcjellim atë se çka po ndodh në Tiranë dhe të përsëritet në Prishtinë. Fatbardhësisht është pozitive për Shkupin, i cili po lëviz, por pa këto problemet që i kemi ne”, theksoi Preteni për “Kosova Sot”.
Mbikëqyrja ndërkombëtare, e domosdoshme
Analisti dhe publicist Naim Kelmendi thotë se është një fatkeqësi e madhe se si në Kosovën e pasluftës kanë degraduar jo vetëm institucionet e gjyqësisë e policisë, por në fakt ka degraduar tërë sistemi i shtyllave të shtetit, nga niveli lokal deri në atë qendror, sepse të gjitha institucionet, përfshirë edhe drejtësinë, janë të kapura nga njerëzit e politikës të ndërlidhur me nëntokën kriminale, prandaj edhe i frikësohen tani Ligjit të VETTING-ut.
“Nëse do të venim një komparacion me Vetting-un që po bën shteti shqiptar, atëherë përpjekja e ministrit të Drejtësisë është për të realizuar edhe në Kosovë Projektligjin e Vetting-ut, njëlloj sikur ka vepruar shteti shqiptar. Mirëpo, kjo nuk po bëhet nga kjo kastë politike.
Nuk bëhet sepse në një rast të tillë, që edhe këtu duhet vepruar ashtu që anëtarët e përzgjedhur të Vetting-ut në Kosovë që do të identifikojnë dhe largojnë nga sistemi i drejtësisë gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar do të duhej t’i nënshtroheshin mbikëqyrjes dhe detyrimit ligjor të rreptë ashtu sikur në Shqipëri, për të pasur sukses Vetting-u. Mbetet tani vetëm për të shpresuar se me ndryshimin e garniturës politike, pas zgjedhjeve të reja, qeveria e radhës do ta procedojë Ligjin e Vetting-ut në Kuvend dhe sigurisht se do të japë rezultatet e veta pozitive”, u shpreh ai. “Mirëpo, nuk pres që një projekt i tillë të iniciohet dhe të zbatohet pa mbikëqyrjen ndërkombëtare, pra asaj amerikane, ngase në anën tjetër ekziston rreziku që komisioni i “krye gjyqtarëve” të Vetting-ut në Kosovë të jenë njerëzit e politikës dhe nëntokës, ashtu siç është i kapur nga kjo strukturë e krimit e korrupsionit çdo institucion në Kosovë dhe kështu që ky Vetting mund të jetë kot fare”, tha Naim Kelmendi për “Kosova Sot”.
Miftari: Të inkriminuarit i rezistojnë reformës
Sipas Naim Miftarit, ekspert i fushës së sigurisë, deklarimet direkt dhe mungesa e qartë e vullnetit nga pushtetarët e korruptuar, për mos e kërkuar një VETTING, pastrim të përgjithshëm në drejtësi, janë fare lehtë të kuptueshme, pasi askush nga mafia politike edhe e pushtetit nuk do që Kosova të ketë ligj të pavarur dhe zbatues të pastër të ligjit, pasi të vetë politikanët e korruptuar të parët vetë do të përfundonin në burg. “Prandaj, është shumë e kuptueshme pse e kundërshtojnë Vetting-un.
Në një shtet të kapur nga krimi i organizuar zakonisht së pari kapen organet e drejtësisë dhe sigurisë, pastaj tjerat dhe vazhdon veprimi i rregullt që ato institucione pastaj mbushen me servilë dhe kukulla të krimit të organizuar politik, ku gjyqtari, prokurori apo hetuesi policor pranohet në punë vetëm nëse është kukull e shefit, e dihet që shefat e nëntokës praktikisht vijnë nga politikat e korruptuara, që kanë gllabëruar shtetin”, u shpreh ai.
“Ndryshe nuk mundesh as të punosh në organet e drejtësisë së Kosovës, sepse edhe nëse depërton në ato vende ndonjë i pavarur, në momentin e parë që i kundërshton të tjerët dhe ju hap problem politikanëve të korruptuar ose “komandantëve të Zvicrës e Shqipërisë, menjëherë fillon gjuetia e shtrigave për atë hetues, gjyqtar, apo prokuror. Këta që kundërshtojnë, pos që mbesin pa punë, e rrezikojnë edhe jetën e vet e të familjes po nuk pranuan t’u shërbejnë bosëve e shefave të shefave, që në fakt janë politikanë shumë të fuqishëm dhe po aq shumë të korruptuar dhe kriminelë të pashpirt”, potencoi Miftari për “Kosova Sot”. Sipas tij, ky lloj sundimi do të vazhdojë edhe shumë gjatë po nuk u vetëdijesua dhe nuk u zgjua nga “narkoza” qytetari i Kosovës, sepse pa një ndryshim radikal në politikë dhe në mënyrën e politikëbërjes nuk do të ketë kurrë vetvetiu sundim të ligjit.
(Kosova Sot)


