Uji Dea

“Banana Republikat Ballkanike”

/ 6 minuta lexim

Nga Blerim Reka – Çereku i Ballkanit iku në perëndim, para “perëndizimit” të rajonit. Sa më shumë që elitat e korruptuara ballkanike premtojnë afrimin me perëndimin, aq më shumë qytetarët e tyre largohen nga vendi. Para integrimit të shteteve të tyre, qytetarët tashmë u “integruan” në BE.

Ky proces i integrimit individual para atij shtetëror; duket se u konvenon dyja palëve. Qytetarëve për të ikur nga joperspektiva, kurse “establishmenteve” për të mbetur më gjatë në pushtet – jashtë radarit kontrollues të Brukselit. Humbi, kështu një gjeneratë e tërë post-komuniste, duke i besuar idealit të demokracisë me sundim ligji. Të lindur para tre dekadave, ata më nuk janë në Ballkan, por atje ku jetojnë këto ideale. Pas tyre shkuan edhe gjeneratat tjera, duke rrezikuar zbrazjen e rajonit. Ndoshta Ballkani edhe do të integrohet një ditë në BE, por me shtete të zbrazëta. Ballkanasit e rëndomtë, u besuan me vite broçkullave se sundimi i ligjit është kyç për integrimin Euro-Atlantik.

Sot, po binden se mos-sundimi i ligjit, i ndëshkoi vetëm ata, por jo edhe qeveritë e tyre. Qytetarët e thjeshtë mbetën të zhgënjyer, por jo edhe qeveritë e tyre. Autokratët lokal, zbuluan se në vend të sundimit të ligjit, mund të sundojnë me ligj. Vendosën feudalizmin e vëllazërive, duke krijuar shtetarë të pasur, në shtete të varfra. Nafta, cigarja, droga, kazinot dhe prostitucioni, kontrolloheshin brenda feudeve strikte të përcaktuara; ndërkaq jashtë, pa marrë parasysh fjalorit nacionalist, lulëzonin aleancat e krimit trans-kufitar të “atdhetarëve të mëdhenj”. Kështu, rajoni inauguroi një fenomen të ri se gjithkund ka mafi, por në Ballkan, mafitë kanë shtetet e tyre. Ballkanasit, shpikën kazino-kapitalizmin që mbahet nga larja e parave.

Këshilli i Evropës përmes “Raporteve Greco”, alarmon me vite se Ballkani është bërë lavatriqe e parasë së pistë. Ri-ciklimi i “establishmenteve” shtetërore në të gjitha zgjedhjet, vetëm “legjitimonte” të njëjtit, për të cilët elektorati, nuk zgjedhte programin politik, por votonte vazhdimin e zhvatjes së buxhetit. Votat, siguroheshin nga administrata shtetërore, sepse shteti mbeti punëdhënësi kryesor. Jo rastësisht, Brukseli me vite alarmon për tejkalimin për disa herë të numrit të shërbyesve civil në raport me numrin e popullsisë. Me kot kjo administratë shtetërore, jo që nuk zvogëlohej por vazhdojë të rritej, e me te edhe votat e sigurta për pushtetin. Në çdo cikël elektoral votohej partia në pushtet, sepse votuesi i tyre varej nga rroga e shtetit.

Uji Dea

Ky “inxhinjering” elektoral post-komunist ballkanik, i bëri qytetarët vetëm pagues të tatimeve, të cilat i “administronin” qeveritarët; në emrin e tyre – por pa llogaridhënie ndaj tyre. Zhvatja e buxhetit, zëvendësoi premtimet e mëdha elektorale. Tenderizmi zëvendësojë “nacionalizmin”. Shitësit e flamujve kombëtar, interesoheshin për paranë kombëtare. Kryeministri kroat Sanader, ndonëse lider i partisë nacionaliste kroate, përfundoi në burg për zhvatje buxhetore. Asnjë koleg i tij nga Ballkani, ndërkaq nuk përfundoi në burg. Qytetarët, me votën e tyre, pra vazhduan të “legjitimojnë” zhvatësit e buxhetit që mbushet nga xhepat e tyre. Kur qytetarët u ankohen ndërkombëtarëve për keqqeverisje, përgjigja e tyre standarde është “ju vetë i keni votuar”. Po, pikërisht, i kishin votuar, por jo zgjedhur. Votimi: me kuti të mbushura, me shantazhe e kërcënime, apo me blerje votash, nuk është zgjedhje e lirë. Aq sa mund të konsiderohen zgjedhje, ato ku aplikohej “treni bullgar” apo ndalja e rrymës pak para përfundimit të votimit! Mirëpo, tash e tridhjetë vite pas komunizmit, ODHIR dhe Ambasadorët e huaj, vetëm konstatonin parregullsitë, të cilat përsëriteshin në zgjedhjet e ardhshme. Në zgjedhjet e reja, pastaj kandidonin madje edhe të dënuarit gjyqësor për shkelje elektorale! Të gjitha diheshin – pos nga vëzhguesit ndërkombëtar. Mandatet e tyre ishin të përkohshme dhe ata duhej arsyetuar punën e vet.

Diplo-kracia, mbylli sytë para stabilo-kracisë. Sundimi i ligjit dhe demokracia u flijuan para sigurisë. Qeverisja e mirë – para oligokracisë. Ndërkombëtarët ranë në kurthën e bosëve ballkanik, se “pa ta, rajoni mund të rrëshqiste drejt alternativave tjera strategjike”. Por, shantazhimi i tyre ishte pikërisht i kundërt: korrupsioni institucional i këtyre qeverive, ishte dera e hapur për lojtarët joperëndimor. Prandaj, jo rastësisht shtetet që kundërshtonin integrimin-euroatlantik të rajonit, zyrtarisht mbronin koalicionet e qeveritarëve të korruptuar. Por, pse toleroheshin edhe nga perëndimorët? Zyrtarët ndërkombëtar i takonin dhe vazhdojnë ti takojnë edhe ata me dosje kriminale edhe ata që i kishin vendosur në lista të zeza. Takonin shtetarët e korruptuar,ndërkaq që përsërisin domosdonë e shtetit të së drejtës! Atij që sundohet nga shkelësit e ligjit? Cilit shtet? Atij, ku kushtetuta është bërë monedhë pa vlerë e tregtisë konstitucionale të partive? Shtetit, ku nuk funksionon gjykata kushtetuese? Atij, ku Gjykata Supreme për një vit nuk shqyrton asnjë lëndë? Ku Supremja interpreton ligjin, në vend të Kuvendit, e ky i fundit i raporton Qeverisë dhe jo e kundërta? Ku Kuvendi është shndërruar në fotokopjues të ligjeve qeveritare? Ku Prokuroria Speciale, e krijuar mu nga ndërkombëtarët, lejohet të shuhet nga aksham pazaret vendore? Ku shteti dënon për ryshfet minor, po assesi për kurdisje tenderësh madhor?

Në Ballkan, “Republika” mbeti vetëm fasadë e një rendi të dëshiruar ligjor. Banana Republikat e shekullit të kaluar, u zëvendësuan nga Republikat Ballkanike në fillim të këtij shekulli. Nga shtete të kapura, ato po rrëshqasin drejt shteteve të dështuara. Kapot ballkanike toleroheshin në emër të stabilitetit rajonal, sepse edhe vetë ndërkombëtarët ishin të bindur se para shteteve demokratike, duhej mbajtur dosido sigurinë rajonale. E pa: “capo di tuti capo”, kjo dukej e pamundur.

Perëndimi, një herë gaboi në Ballkan, me besimin parezervë ndaj Millosheviqit, pa të cilin siç raportonin diplomatët e atëhershëm ”nuk mund të arrihet paqja në Ballkan”. Fatkeqësisht, edhe sot ndërkombëtarët për hir të stabilitetit rajonal, vazhdojnë të mbyllin sytë – para kollumbizimit të rajonit. Nëse kjo edhe mund të arsyetohej disi para tre dekadash, kur Ballkani nuk kishte asnjë shtet anëtar të NATO-s; pse sot, kur pos Serbisë dhe Bosnjës, gjithë të tjerat janë nën ombrellën e sigurisë së aleancës veri-atlantike?