UBT

Ballkani Perëndimor, oborri i brendshëm i Evropës

/ 7 minuta lexim
Hidromorava

Nga Lisen Bashkurti – Pas një periudhe të gjatë pritje, Këshilli Evropian i hapi dritën e gjelbër Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Është një lajm tejet pozitiv për mbarë Ballkanin Perëndimor.

Duke marrë të bashkëngjitur me këtë lajm edhe ratifikimin e 29 vendeve të NATO-s për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut, mund të themi pa kurrfarë hezitimi se Ballkani Perëndimor u shndërrua nga periferi e Evropës në ‘oborrin e brendshëm të saj’.

Këto ditë pandemie globale, ministrat e Punëve të Jashtme të BE-së vendosen me konsensus që t’i paraqesin draft-propozimin pozitiv të Samitit të BE-së për hapjen e negociatave për anëtarësim për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Me këtë vendim historik, tanimë Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i bashkëngjiten Malit të Zi dhe Serbisë në të njëjtin stad integrimi, pra në fazën përfundimtare të negocimit për anëtarësim të plotë.

Mbeten dy stade më pas Bosnje – Hercegovina dhe Kosova, që për kushte e rrethana specifike historikisht të njohura, kanë akoma rrugë më të gjatë për të bërë për t’iu bashkëngjitur këtij procesi të avancuar interimi.

Por, tanimë, rruga evropiane e Ballkanit Perëndimor është definitivisht e qartë dhe e pakthyeshme. Ngelet për t’u parë se kur do të vendoset data konkrete e hapjes së negociatave. Këtë do ta vendose Konferenca Ndërqeveritare e ardhshme e vendeve të BE-së.

Sfidat e Shqipërisë për caktimin e datës
Vendimi politik për hapjen e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë ishte një hap i madh dhe tejet i vështirë. Lypet të kemi parasysh se ky vendim është konsensual. Arritja e konsensusit kaloi në tre rrathë: rrethin e Shqipërisë plot ulje ngritje, përparime dhe ngecje, afrime dhe largime, që ishte rrethi kryesor i mundësisë për arritjen e konsensusit në BE; rrethin e dytë, atë të institucioneve të BE-së, pra sfidën e ballafaqimit me Komisionin dhe Parlamentin e BE-së; rrethin e tretë, atë të dakordimit të të gjitha shteteve individuale të BE-së.

Pasi tre rrathët e sipërpërmendur u puthiten, çka ishte jashtëzakonisht e vështirë të arrij, u hap rruga për hapjen e negociatave për anëtarësim midis BE-së dhe Shqipërisë. Ngelet për t’u caktuar data e hapjes dhe grup-kapitujt e parë të negocimit. Ky vendim do të merret nga Konferenca Ndërqeveritare e BE-së, e cila bëhet në shtator ose nga fundi i këtij viti për çdo vend individual.

Nga vendimi i hapjes së negociatave deri tek caktimi i datës dhe grup-kapitujve të parë të negocimit Shqipëria ka disa detyra shumë specifike, mjerisht disa të përsëritura, për t’i realizuar.

Nder detyrat urgjente për Shqipërinë për t’i realizuar përpara Konferencës Ndërqeveritare të BE-së për caktimin e datës dhe grup-kapitujve të parë të negocimit janë 9 kushtet e njohura të Bundestagut Gjerman si dhe disa kushte të shtuara nga vende individuale si Holanda, Greqia që lidhen me rezultatet konkrete në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe me disa respektimin e disa të drejtave të pakicave Greke në Shqipëri, duke nisur nga censusi deri tek të drejtat e pronave të këtij minoriteti në Shqipëri.

Uji Dea

Sot presidenti Meta, në një deklaratë të tij bëri apel për hapa të menjëhershëm për plotësimin e kushteve të vëna për Shqipërinë në vendimin për hapjen e negociatave, me qëllim që në Konferencën Ndërqeveritare të ardhshme të BE-së, Shqipërisë t’i caktohet data dhe grup-kapitujt e parë të negociatave. Shqipëria i ka të tëra mundësitë për t’i plotësuar këto kushte brenda këtij viti. Por, nuk ka fare kohë për të humbur, sepse….

Fillon gara individuale e secilit
Tani që u mor vendimi për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut fillon periudha e garës individuale e secilit vend të Ballkanit Perëndimor, varësisht nga përmbushja e kushteve dhe e shpejtësisë së negociatave të suksesshme.

Procesi i negociatave për anëtarësim në BE është mirëfilli proces BE-shtet individual kandidat. Nuk ka më procese në grup-shtete. Ecuria ose shpejtësia e suksesit të negociatave tanimë varet nga përparimi i secilit shtet. BE-ja negocion me çdo shtet individualisht. Konsideron përputhshmërinë e legjislacionit nacional me aquis communitaires, implementimin e plotë të tij, ngritjen e funksionimin e kapaciteteve institucionale, administrative dhe njerëzore, hap pas hapi, dhe grup-kapitujsh pas grup-kapitujsh.

Bazuar në metodologjinë e re të zgjerimit miratuar në vitin 2019, pas përfundimit të suksesshëm të çdo grup-kapitujsh BE-ja do alokojë fondet përkatëse që sigurojnë mbështetjen e çdo shteti në përgatitjen e tij të plotë për anëtarësim. Ky alokim fondesh me dinamikë është shumë pozitiv për shtetet individuale.

Por, nga ana tjetër, metodologjia e re, ka edhe restrikcione, që lidhen me ngecjen ose me hapat prapa që mund të bëjë ndonjë vend negociues. Në këtë rast ngecje ose hapesh prapa, BE-ja rezervon të drejtën e bllokimit ose të ndërprerjes së plotë të negociatave me vendin e caktuar.

Është pikërisht ky element i ri metodologjik që i fillon negociatat me kapitujt e shtetit ligjor, sundimit të ligjit dhe të drejtat e njeriut, dhe i mbyll ato, duke rimarrë sërish në fazën e fundit të negociatave aspektet e demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Kështu, negociatat nisin dhe mbyllen në të njëjtën pikë, duke vënë theksin në rëndësinë themelore të shtetit ligjor dhe të drejtat e njeriut.

Ngritja kapaciteteve negociuese
Ecuria dhe shpejtësia e negociatave, pra e afrimit të anëtarësimit të plotë në BE varet si nga përputhshmëria e aquis communitaires me legjislacionin nacional, nga ngritja e funksionaliteti i kapaciteteve institucionale, administrative dhe njerëzore implementuese, por do të varet edhe nga kapacitetet negociuese të Shqipërisë.

Kroacia pati filluar përgatitjen e kapaciteteve negociuese me BE-në dhjetë vite përpara hapjes së negociatave për anëtarësim. Personalisht kam pasur mundësinë të ndjek nga afër për rreth 5-6 vitesh këtë proces ngritjesh kapacitetesh negociuese të Kroacisë në workshop-et vjetore të Dubrivnikut. Dhe pavarësisht këtij procesi të gjate përgatitor, edhe Kroacia ka pasur vështirësi të mëdha me negociatat.

Shqipëria është prapa me ngritjen dhe përgatitjen e kapaciteteve negociuese. Është një proces që kërkon ngritje strukturash të qëndrueshme profesionale, njerëz të kualifikuar, me arsim, kualifikim, trajnim, grade e tituj shkencor, gjuhë evropiane, specializime sipas fushave por edhe të pajisur mirë me dije, teknika dhe praktika diplomatike negocimi. Shqipëria tanimë duhet të mbledh ekipe të plota, të qëndrueshme dhe të afta për negocim të nisë trajnimin intensiv të tyre.

Ballkani Perëndimor tanimë është oborri i brendshëm i BE-së. Është ky përcaktim që shënon fatin më të madh historik të këtij rajoni. Dyert e BE-së u hapen. Procesi është i qartë dhe i pakthyeshëm. Paqe, stabilitet, demokraci dhe prosperitet ekonomik…kjo është e ardhmja e Ballkanit Perëndimor…