Balje: Nuk ka vota për VV, qëndrimi im mbetet i pandryshuar

Deputetja boshnjake Duda Balje ka deklaruar se nuk e ka ndryshuar qëndrimin e saj politik dhe se nuk do të votojë në mbështetje të Lëvizjes Vetëvendosje (VV). Ajo tha se pavarësisht zhvillimeve të fundit, pozicioni i saj mbetet i pandryshuar, raporton Ekonomia Online.
Sipas saj, në takimin me Presidenten kanë munguar dy parti të komuniteteve, por biseda ka qenë konstruktive.
Balje paralajmëroi se përgjigjja nga Gjykata Kushtetuese mund të vonohet deri në dy muaj, dhe kjo do ta zgjasë krizën politike në vend.
Ajo theksoi se nuk varet nga komunitetet dhe se situata është e bllokuar.
“Te Presidentja kanë munguar dy partitë e komuniteteve. Kemi pasur një takim konstruktiv, kur kemi dalë veç një gjë ka qenë se jemi duke pritur që partitë shqiptare të bëjnë marrëveshje mes veti. Presidentja ka lënë edhe një kohë të shkurtër, që të dalim me një marrëveshje, nëse jo do t’i drejtohet Kushtetutës. Ne e dimë që përgjigjja nga Kushtetuesja mund të vonohet praktikisht dy muaj. Mundemi me vazhdu me këtë krizë, është keq për Kosovën. Nuk varet nga ne. Fakt është se nuk ka vota për të dalë nga kjo krizë nga ky moment. Situata ka me qenë e njëjtë. Është interesant ky inat politik tek ne, duhet të lëshohet pe, sepse kështu jemi bllokuar dhe nuk mundemi me shiku vetëm se si mund të dalim nga kjo”, tha ajo.
Sa i përket akuzave për ndikim apo presion nga komuniteti serb, Balje i mohoi kategorikisht.
Deputetja theksoi se mospajtimet me VV-në nuk janë të reja dhe i kanë rrënjët që nga qeveria Kurti I dhe Kurti II.
Në këto zgjedhje nuk kemi pasur presion, asnjë parti boshnjake nuk ka pasur presion. As partia ime nuk ka pasur asnjë votë nga ana e serbëve. Unë nuk kam parë në cilën mënyrë ata kanë mundësi që të bëjnë presion.
Mospajtimet mes meje dhe VV-së janë edhe me qeverinë Kurti I, qeverinë Kurti II. Unë jam e sigurt që VV-ja e din qëndrimin që unë kam pasur. Pas këtyre deklaratave kam pasur shumë presion, kam përjetuar një kohë shumë të vështirë. E kam kaluar këtë, kam dalë me faqe të bardhë, qëndrimin tim nuk e ndryshoj”, tha ajo.