Bajrami kritikon LVV-në: Po luajnë me vullnetin e qytetarëve dhe po bllokojnë institucionet

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka kritikuar ashpër Lëvizjen Vetëvendosje për bllokimin e punës së Kuvendit që nga 15 prilli, duke e cilësuar si një sjellje që nuk reflekton përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe bizneseve të vendit.
“Nga partia që e ka blloku Kuvendin nga 15 prill nuk pritet ndryshe, sikur të mendonin për qytetarët dhe bizneset znj. Kusari-Lila dhe të tjerët, ne sot nuk do të ishim në këtë situatë,” ka deklaruar Bajrami në një postim në Facebook.
Ajo ka bërë thirrje për mbështetje të nismës së deputetëve për të kërkuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) shfuqizimin ose shtyrjen e vendimit për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.
Sipas saj, deputetët kanë për detyrë të mbrojnë interesin publik dhe jo të shërbejnë si pengesë për funksionimin e institucioneve.
“Nuk kanë asnjë arsye të frikësohen nga nisma e deputetëve për mbledhjen e nënshkrimeve me qëllim që t’i kërkohet ZRRE-së shfuqizimi ose shtyrjen e vendimit për rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Ju rikujtoj se përfaqësuesit e qytetarëve kanë detyrimin të mbrojnë interesin publik, dhe nënshkrimi i kësaj nisme do të ishte veprim i drejtë dhe në përputhje me këtë përgjegjësi,” ka theksuar ajo.
Bajrami u ka kujtuar nënshkruesve të kësaj kërkese se mandati që u është dhënë nga qytetarët është përgjegjësi dhe jo një mundësi për të luajtur me vullnetin e tyre.
“Për nënshkruesit e kësaj kërkese, vota e marrë është përgjegjësi, jo shans me lujtë me vullnetin e qytetarëve e me blloku institucionet,” ka përfunduar Bajrami. /Telegrafi/