Bajrami: Kosova gaboi që hyri në dialog, Asociacioni është detyrim ligjor

/ 6 minuta lexim
Eco Higjiena

Njëri nga hartuesit e Kushtetutës së Kosovës, profesori universitar Arsim Bajrami po konsideron se Kosova bëri gabim që vendosi të hyjë në dialog me Serbinë.

Ai thotë se partitë politike duhet t’i lënë anash interesat partiake dhe të krijojnë një konsensus sa i përket dialogut me Serbinë.

“Edhe vetëm kam përgjegjësi për dështimet në dialog, pasi kam qenë pjesë e institucioneve, edhe pse s’kam pasur kompetenca në dialog. Dialogu është një storie mjaft kontraverse. Kosova pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND) në vitin 2010, e cila konfirmoi legalitetin dhe legjitimitetin e shpalljes së pavarësisë nuk është dashur të hyjë në asnjë dialog. Ne është dashur të këmbëngulim se e kemi vendimin e GJND-së, pavarësia jonë është legjitime dhe ne mund të bisedojmë me Serbinë vetëm pas njohjes reciproke dhe t’i zgjidhim problemet teknike një nga një. Kjo s’ka ndodhur, por jemi futur në një dialog, të cilin unë e quaj si qorrsokak”, ka theksuar Bajrami në RTK.

Ai ka thënë se dialogu i filluar si teknik sot në vitin 2024 nuk e ka një fund, madje sipas tij ka ndërruar edhe kontekstin sepse nga një koncept i një dialogu për marrëveshje finale, ka devijuar në koncepti të normalizimit të marrëdhënieve.

Tutje Bajrami i ka vlerësuar të padrejta presionet që po i bëhen Kosovës nga faktori ndërkombëtar që ajo tani të lejojë një Asociacion, e i cili sipas tij “në bazë të Marrëveshjes së Ohrit dhe Brukselit ka elemente esenciale dhe të dukshme të një autonomie, ndoshta jo formale por të një autonomie faktike, e cila në të ardhmen mund të cenojë edhe sovranitetin dhe integritetin dhe karakterin unitar”.

“Të gjitha qeveritë kanë bërë gabime, por gabimi kryesor është që nuk është refuzuar ky dialog. Kjo temë nuk është elektorale dhe është fatkeqësi për qytetarët e Kosovës në qoftë se partitë e vendosin si kauzë elektorale çështjen e dialogut. Kjo është një temë ku të gjitha partitë politike duhet të sakrifikojnë nga interesat partiake, të ndërtojnë një konsensus dhe t’i vendosin një pikë – të formojnë një Asociacion. Ky është detyrim ligjor. Të çojnë një draft-statut ose të tyre ose këtë të planit franko-gjerman në Gjykatën Kushtetuese dhe të sigurohen, sepse Gjykata Kushtetuese ua heq përgjegjësinë”, ka nënvizuar Bajrami.

Duke folur pë 9 prillin, Ditën e Kushtetutës, Bajrami ka thënë se kjo ditë ka një domethënie dhe një mesazh.

RCCOLA

“Në kohën kur është miratuar si festë shtetërore kam qenë ministër i Administratës Publike dhe kam qenë sponsorizues i Ligjit për festat shtetërore. Kam negociuar shumë për këtë festë dhe ajo ka ardhur si një zëvendësim i 28 Nëntorit të Ditës së Flamurit. Ideja ime ka qenë që kjo ditë praktikisht të jetë një reflektim i rrugëtimit të Kosovës drejt shtetësisë dhe pavarësisë, apo një ditë falënderimi për të gjithë martirët dhe kontribuuesit që ranë për idealin e shtetit dhe pavarësisë së Kosovës”, ka theksuar Bajrami.

Ai ka thënë se Dita e Kushtetutës përveçse është një ditë reflektimi për rolin e këtij akti më të lartë juridik, është edhe ditë kujtimi për rrugën e vështirë të shtetit të Kosovës, në mënyrë që gjeneratat e reja të lindura pas çlirimit të kuptojnë se në çfarë rruge dhe sakrifice gjithëkombëtare është kaluar për të ardhur deri te dita e pavarësisë dhe dita e kushtetutës.

Ai periudhën 16-vjeçare të Kushtetutës e ka vlerësuar si mjaft të suksesshme, por edhe me shumë sfida.

“Lindja e shtetit të Kosovës ka qenë një moment jo vetëm për shqiptarët por ka qenë një ngjarje botërore, sepse ka lindur një shtet pas një sakrifice të një populli dhe pas një gjenocidi. Në atë kohë është përshëndetur nga e gjithë bota demokratike sepse u panë përpjekjet e Serbisë për të shkatërruar shqiptarët si komb, për të djegur Kosovën dhe për të rrëzuar motivin për të jetuar në Kosovë. Por përnjëherë një popull në bashkëpunim me komunitetin ndërkombëtar dhe NATO-n arriti të rimëkëmbet dhe të shpallë Kushtetutën e Kosovës. Kjo Kushtetutë e ka ruajtur rolin e saj shtetformuese apo shtet krijues. E ka atë epitet dhe ka mundësuar pastaj ndërtimin e strukturës së plotë shtetërore”, ka shtuar Bajrami.

Megjithatë, ai ka thënë se duhet të jemi edhe vetëkritik dhe ta shohim realitetin, pasi gjatë kësaj periudhe janë bërë jo pak shkelje të Kushtetutës.

“I kemi pasur tri sfida kryesore të Kushtetutës në këto 16 vjet. Pa dyshim sfida e parë ka qenë shtrirja e saj në veriun e Kosovës, apo shtrirja e sovranitetit të plotë të Kosovës në veri dhe fatkeqësisht akoma edhe sot e kësaj dite nuk kemi struktura funksionale në bazën e kësaj Kushtetute. Sfidë e dytë kanë qenë shkeljet e Kushtetutës. Si një shtet i ri jemi ballafaquar me shkelje serioze të Kushtetutës nga të gjitha institucionet shtetërore. Fillimisht parlamenti ka miratuar shumë ligje kundërkushtetuese. Pastaj kemi dy presidentë janë larguar për shkelje të natyrave të ndryshme të Kushtetutës. Kemi pasur kriza politike, vonesa në formimin e institucioneve, rrëzimet e qeverisë etj. Pra, kemi pasur mjaft situata konfliktuoze që kanë treguar që akoma na duhet për të punuar dhe për të ngritur kulturën kushtetuese dhe juridike dhe për t’i demokratizuar institucionet në mënyrë që ato të emancipohen se çfarë roli ka kushtetuta dhe ta kuptojnë në fund të ditës se demokracia është respektimi i plotë i Kushtetutës dhe procedurave që ajo parashikon”, ka nënvizuar Bajrami.