Bajram Rexhepi: Ilir Deda ka rrëshqit
Bajram Rexhepi ka thënë se ish-këshilltari i tij Ilir Deda ka rrëshqitur kur ka deklaruar se Hashim Thaçi është në krye të korporatës kriminale te Kosovës. Rexhepi ka thënë se nuk është e vërtetë se Qeveria e Kosovës është korporatë kriminale.
Bajram Rexhepi ka komentuar vlerësimet e ish-këshilltarit të tij, Ilir Dedës, i cili dy ditë më parë, tha se Hashim Thaçi është në krye të korporatës kriminale të Kosovës.
Rexhepi ka thënë se konstatimet e Dedës nuk janë të vërteta.
Sipas tij, Ilir Deda ka rrëshqitur, kur ka krahasuar Qeverinë e Kosovës me korporatë kriminale.
“Ndoshta ka rrëshqit pak njeri, ku me ditë”, ka thënë Rexhepi, për Express, të mërkurën.
“Jo nuk është e vërtetë ajo që ka thënë. Unë nuk i komentoj fjalët e z. Deda. Ai e din arsyen për çka i thotë, kështu që s’i komentoj fjalët e tij”, ka shtuar ai.
Ky anëtar i Kryesisë së PDK’së nuk ka dashur të falsë më gjatë për deklaratat e Dedës.
“Nuk e di pse i bën këto deklarata”, ka shtuar ai.
Ilir Deda, në një intervistë për Express, e kishte krahasuar Qeverinë e Hashim Thaçit me korporatën kriminale.
“z. Thaçi është në krye të kësaj korporate kriminale në Kosovë. Dhe, kjo është ajo që kam thënë edhe më vonë se kjo është tragjedia nacionale e Kosovës që Shteti jonë është i zaptuar, në momentet kyçe të shtet ndërtimit”, ka thënë Deda.
Deda edhe më herët kishte vlerësime të tilla për Qeverinë e PDK’së, duke thënë për mediat britanike se Thaçi është në krye të ndërmarrjes së përbashkët kriminale.


