Bajram Isufi dhe Komisioni Komunal për korrje-shirje janë takuar me autokombajnerët e Gjilanit

Gjilan – Në takimin e mbajtur me kombajnerë të Komunës së Gjilanit, është shqyrtuar plani i punës, për fushatën e korrje-shirjeve për vitin 2025.
Në takim, u diskutua për përgatitjet e bëra nga kombajnerët dhe pikat grumbulluese të drithërave dhe planin e realizimit të procesit.
Qëllimi i këtij takimi ishte koordinimi dhe monitorimi sa më i mirë i procesit të korrje-shirjeve të drithërave të bardha.
Nga diskutimet e zhvilluara në këtë takim, u dhanë këto sugjerime:
Të mos fillohet me korrje-shirje para pjekjes së plotë të grurit, derisa lagështia e drithërave të arrijë 12-13%.
Pikat grumbulluese të grurit, me rastin e pranimit të grurit, t’i pajisin fermerët me dëshmi për dorëzimin e sasisë së grurit.
Bazuar në çmimet e naftës dhe pjesëve rezervë për autokombajna, Komisioni Komunal ju rekomandon kombajnerëve të Komunës së Gjilanit që të respektohet çmimi i sugjeruar nga MBPZHR-ja dhe Drejtoritë Komunale në nivel vendi, që çmimi për korrje-shirje të jetë 130€ për 1 ha.
Nënkuptohet se çmimi i cekur është vetëm propozim, ngase në ekonominë e lirë të tregut çmimi i korrje-shirjeve mund të caktohet me marrëveshje në mes të dy palëve: fermerëve dhe autokombajnerëve.
Në territorin e Komunës së Gjilanit, gjatë vitit 2025, me drithëra të bardha ka të mbjellura këto sipërfaqe: grurë rreth 3100 ha dhe Elb 100 ha.
Ndërkaq operojnë rreth 50 autokombajna të mjaftueshme për përfundimin e suksesshëm të fushatës së korrje-shirjeve.
Në këtë takim ka marrë pjesë edhe pronari i mullirit “Alia Comerce” në Cërnicë, i cili është grumbulluesi kryesor i grurit, është zotuar para Komisionit dhe kombajnerëve se ka kapacitete të mjaftueshme për grumbullimin e gjithë sasisë së grurit./rajonipress/