Babai i Olsi Iljazit: Nusen e dhunoi për xhelozi, jo nga zënkat me vjehrrë

KORÇË- Tre ditë pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në qytetin e Korçës ku u dhunua barbarisht 28-vjeçarja shtatzënë, Rudina Iljazi, ka reaguar babai i agresorit, Olsi Iljazi.

Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Fatmir Iljazi deklaroi se gjithçka ndodhi për shkak të xhelozisë dhe jo nga zënkat nuse-vjehrrë. Babai i 34-vjeçarit bëri me dije se nusja e të birit braktisi fëmijën e saj 3 vjeç dhe shkoi tek e ëma e saj. Kryefamiljari dënon dhunën e djalit të tij, ndërsa kërkon që drejtësia të shikojë dhe rrethanat në të cilën ndodhi ngjarja.

Ndërsa në një intervistë për News 24 edhe motra e Olsi Iljazit mban të njejtin version si i ati, ndërsa kërkon që drejtësia të zbardhë arsyet e ngjarjes. Ajo sqaron se shkak i dhunës nuk janë bërë zënkat nuse-vjehrrë, por xhelozia.

Si është e vërteta në lidhje me ngjarjen?

Gjithçka ka ndodhur për xhelozi, dhe nuk ka lidhje me grindjet e nuses së djalit me vjehrrën. Kjo vërtetohet lehtë edhe për faktin se unë dhe bashkëshortja ime kemi jetuar në Greqi, dhe kemi ardhur vetëm këto ditë. Djali dhe nusja ishin në emigrim në Itali dhe aty, Rudina kishte bërë edhe disa analiza femrash. Analizat nuk i kishin dalë mirë, dhe kur erdhën këtu, disa ditë para ngjarjes, Olsi i kërkoi të ripërsëritnin analizat, këtë herë të dy. Nusja ishte acaruar dhe ishte larguar nga shtëpia, duke lënë vetëm fëmijën tjetër 3 vjeç, dhe kishte shkuar tek nëna e saj. Djali na mori në telefon dhe tha që duhet të vinim urgjent, pasi kishte fëmijën vetë dhe nuk mund ta mbante apo ta ushqente dot. Pasi erdhëm ne, djali shkoi tek nëna e saj që ta merrte se e kërkonte fëmija, por ajo nuk kishte pranuar. Nuk dimë të themi se çfarë ndodhi atje.

Nusja e djalit tuaj ka pasur konflikte me vjehrrën?

Nuk është aspak e vërtetë. Ne e kemi mbajtur Rudinën si vajzën tonë, dhe jo si nusen e djalit. Ajo kërkonte që të jetonte vetëm pa ne. Natyrisht ne pranuam që të iknin, dhe të merrnin shtëpi me qira. Ne nuk i kemi penguar kurrë.

Si e përjetuat atë që ndodhi?

Jemi shumë të tronditur, dhe nuk dimë çfarë të bëjmë. Nuk donim që gjërat të kishin arritur deri këtu. Patjetër që e dënoj veprimin e tim biri, megjithëse nuk e di të vërtetën përse e ka goditur në atë mënyrë. Por fajtore është edhe nusja që e la fëmijën vetëm në shtëpi dhe iku tek nëna e saj.

Si mund të bëj një nënë kështu?

Nuk di çfarë të them. Di që ata duheshin shumë, dhe grindje ka në çdo familje. E përsëris, motivi i ngjarjes ishte xhelozia, dhe jo grindjet me vjehrrën.

Si është djali juaj?

Nuk na kanë lejuar ta shohim, është në gjendje shoku. Kjo na lëndon edhe më shumë. Ai e ka tentuar vetëvrasjen se është prekur shumë nga ajo që ndodhi. Dhunën mbi gruan e ka ushtruar në gjaknxehtësi e sipër. Kemi frikë për shëndetin e tij. Natyrisht që edhe për Rudinën na vjen keq, se e kemi dashur dhe e duam. Shpresojmë që të ulen gjakrat dhe të bashkohen sërish.

Çfarë kërkoni aktualisht?

Drejtësi, asgjë më tepër. Vetëm të dalë e vërteta. Unë e dënoj veprën që ka bërë djali im, por kurrsesi nuk është e lehtë braktisja e fëmijës. Drejtësia të marrë parasysh edhe rrethanat e ngjarjes, dhe mënyrën si Rudina u largua.
(m.a/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS