Azizi: 10 vite shitje, asnjë barazim nga privatizimi në Anamoravë

Gjilan – Aziz Azizi koordinator i zyrës regjionale të BSPK-së në Gjilan thotë për rajonipress se Anamorava më së paku ia ka parë hairin privatizimit. Sipas tij për 10 vite shitje të ndërmarrjeve shoqërore AKP-ja nuk ka arritur ta bëjë asnjë barazim – likuidim. Për pasojë qindra punëtorë të Anamoravës kanë mbetur në situata të mjerueshme.
Ndonëse janë shitur mbi 45 ndërmarrje shoqërore të vogla e të mesme në regjionin e Anamoravës, AKP-ja ende s`ka arritur të barazojë asnjë ndërmarrje dhe për pasojë qindra punëtor kanë mbetur në situata të mjerueshme thonë zyrtarët e BSPK-së në Gjilan raporton rajonipress.
Aziz Azizi është koordinator i zyrës regjionale të BSPK-së në Gjilan dhe është shumë i pakënaqur me zhvillimet e privatizimit dhe gjendjen e mjerueshme të punëtorëve të Anamoravës.
Azizi tha se për 10 vite shitje në Anamoravë AKP-ja ende s`ka arritur ta bëjë asnjë barazim-likuidim.”Tashmë janë shitur mbi 45 ndërmarrje shoqërore të vogla e të mesme dhe punëtorët ende nuk i kanë marrë të hollat e garantuara. Për pasojë mijëra punëtorë kanë mbetur pa punë pa të drejtën e tyre për shkak të shitjes së ndërmarrjeve. Këtu nuk është fjala vetëm për 20%, por edhe për pjesën tjetër pas shitjes së ndërmarrjes dhe ndërprerjes së punës AKP është e obliguar që t`ia jep 1 deri 7 paga për shkak të humbjes së vendit të punës”.
Azizi tha se askush dhe asnjë punëtor deri sot nuk i ka marrë këto mjete dhe kjo është shkelje flagrante e të drejtave të punëtorëve.
Azizi thotë se përgjegjës për bllokimin e këtyre mjeteve është Komisioni i likuidimit që funksionon në kuadër të AKP-së i cili nuk po i respekton rregulloret dhe po punon sipas tekeve të saja.
Azizi si rast drastik e merr fabrikën e Çelikut ku punëtorët e saj ka 8 vite që i kanë vendimet e plotfuqishme edhe nga gjykata, por mjetet nuk mund t`i marrin. Edhe tek 20% i garantuar ka punëtor në Anamoravë që nuk kanë marr asnjë cent. Punëtorët e “28 Nëntorit” dhe ata të Fabrikës së Baterive nuk i kanë marr këto mjete”.
Azizi tha se kah fundi i muajit pritet të organizohet një protestë nga këta punëtorë. “Realisht privatizimi vetëm sa e ka ngulfatur jetën ekonomike dhe asnjë të mirë nuk i solli Anamoravës. Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme ka bllokuar shumë lëndë kurse gjendja e punëtorëve është e mjerueshme. Ndoshta kur të flitet për raportin e AKP-së në Parlament , deputetet do të duhej ta ngrisin zërin rreth këtyre shkeljeve dhe vonesave ekstreme që po bënë AKP-ja” tha Azizi./rajonipress/