FIDANISHTJA

Aziz Mustafa, poet me fryte të pjekura poetike

/ 8 minuta lexim
Eco Higjiena

Gjilan – Aziz Mustafa, gjer më tani ka botuar tri përmbledhjet poetike. Ky prezantim që po i bëhet sot krijimtarisë letrare të tij, në radhë të parë, i bënë nder dhe respekt autorit dhe vendlindjes së tij. “Gjilani, me tërë qenien dhe përkushtimin po e ruan traditën e poetëve të mëdhenj të letërsisë sonë të Beqir Musliut, Musa Ramadanit, Rexhep Elmazit dhe tjerëve poetë që ka dhënë Gjilani”, ka thënë Xhevat Latifi, krijues i këtij qyteti.

Gjilani sot ishte duke “biseduar” me poezinë e Aziz Mustafës, poet. Një poet që po dëshmon pjekurinë krijuese të tij. Pse jo? Sabit Rrustemi, udhëheqës i Ars Klubit “Beqir Musliu”, në Gjilan, tha se, “Vjeshta Letrare” është një nga manifestimet më të veçanta shqiptare që po i organizon Gjilani.

Ky Manifestim ka filluar më 22 shtator dhe do të përfundojë në simbolikën e përfundimit të saj më 22 dhjetorit. Ai tha se, në këtë manifestim letrar do vijnë krijues jo vetëm të Kosovës, por edhe nga Shqipëria, Maqedonia, Bujanoci e viseve të tjera shqiptare, por edhe nga diaspora.

Hapjen e këtij manifestimi e bëri Xhevat Latifi, krijues gjilanas, i cili tha se, jemi tubuar sot për të bërë fjalë për poezinë e Aziz Mustafës, por edhe për ta nderuar atë.

Aziz Mustafa, gjer më tani ka botuar tri përmbledhjet poetike. Ky prezantim që po i bëhet sot krijimtarisë letrare të tij, në radhë të parë, i bënë nder dhe respekt autorit dhe vendlindjes së tij. “Gjilani, me tërë qenien dhe përkushtimin po e ruan traditën e poetëve të mëdhenj të letërsisë sonë të Beqir Musliut, Musa Ramadanit, Rexhep Elmazit dhe tjerëve poetë që ka dhënë Gjilani”, ka thënë Latifi, krijues i këtij qyteti.

Siç dihet, Aziz Mustafa lindi në fshatin Malishevë të Gjilanit. Është me profesion mjek dhe poet. Aziz Mustafa shkollën fillore dhe të mesme e kreu në vendlindje, ndërsa Fakultetin e Mjekësisë në Zagreb të Kroacisë, kurse specializimin për otorinolaringolog-kirurg të kokës dhe qafës në Prishtinë.

Ai sot punon si specialist ORL në QKU në Prishtinë. Gjer më tani ai ka publikuar punime shkencore në revista ndërkombëtare të otorinolaringologjisë. Pos mjekësisë, është i angazhuar edhe me krijime letrare. Me shkrime letrare është marrë qysh nga shkolla fillore. Shkruan kryesisht poezi për të rritur. Ka botuar 3 përmbledhje me poezi: “Pasaportë kam kafkën time”, “Jeta e re”, Prishtinë 1996, “Matja e kohës së ndalur”, Shkup, 1999, dhe “Mëso të thuash jo”, Rozafa, Prishtinë, 2004. Është fitues i disa konkurseve letrare.

Poeti Aziz Mustafa, është përfshirë edhe në antologjit: “Psherëtimë për tokën”, “Fjala poetike”, 2013; “Parnasi me aromë”, Gjilani, 2013. Poeti Mustafa është prezantuar edhe në shumicën e faqeve të internetit që botojnë letërsi shqiptare.

Nga viti 1999 është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Ka marrë shpërblime të ndryshme të konkurseve letrare dhe ishte pjesëmarrës i takimeve të poetëve shqiptarë në Shkup, 1999 dhe në Festivalin ndërkombëtar të poezisë “Vjeshta 2003” në Pogradec.

Uji Dea

Dhe jo vetëm kjo. Duke folur për veprimtarinë poetike të Aziz Mustafës, Sabit Rrustemi, krijues dhe organizator i manifestimit në fjalë, tha se, sot kemi të bëjmë me një poet të jashtëzakonshëm dhe që ka vlera të shumta poetike. “Unë, duke lexuar poezinë e këtij poeti gjilanas, sikur më kanë tingëlluar dy fenomene apo komponente që ekzistojnë në veprën e tij poetike. E ato janë: e para, se në poetikën e tij vërehet qartë uni i tij mosnënështrues i një kohe, të cilën kohë e kemi përjetuar ne të gjithë, dhe, komponenti i dytë, është vargu i tij i denjë dhe shpërthyes për të mos thënë kryengritës, duke krijuar “gjendje” që sot kjo është liria e pritur jona.

Pra, kjo është fuqia e poetit lirik, i cili, me anë të fjalës dhe gjuhës poetike, sikur reziston një kohë tonën, të cilën e përjetuam të gjithë.

Ndërsa, Flamur Maloku, vlerësues, tha se nuk kam shumë fjalë të shtoj për poezinë e Aziz Mustafës, sepse ai i tëri është krijues i merituar. “Ky poet, që sot po e marrim nëpër “gojë”, na ngazllen për veprimtarinë tij poetike. Është përshkrues i vuajtjeve njerëzore, por është edhe i gjetjes së unit poetik. Këto janë shenja që flasin për orientimin e tij poetik, ku në poezinë e tij ka thurje aq të pranuara, sa unë i quaj vargje margaritarë e monumenti. Do ta citoj të madhin Ibrahim Rugovën, i cili, në një kohë, ai, duke folur për poezinë e njëmendtë, ka shtuar” Lumë ata që janë në botën e poezisë”!

Pse jo? Edhe poeti, A. Mustafa, përkundër profesionit të tij mjek, ai poezinë e ka ushqim shpirtëror, pa të cilën s’ndahet as natë e ditë nga ajo. Azizi është poet i fjalës pak, e punës shumë. Imer Topanica, në vështrimin e tij “Gjuha në poezinë e Aziz Mustafës”, tha se, secila vepër letrare e ka gjuhën e saj. “Edhe poezia e A. Mustafës dallohet për një gjuhë të zgjedhur dhe të matur. Madje, kjo gjuhë e poetit është më e veçantë nga poetët tjerë, për faktin se, në veprën e tij gjejmë një të folur poetik që duket e thjeshtë, por në përmbajtje ajo ka thellësi arti.

Shembull e marrim portretin e Monalizës, ku piktori ka derdhur shumë ngjyra. Edhe këtu, kur është fjala te poezia e A. Mustafës, poeti e njeh materien me të cilën e “ndërton” vargun apo veprën e tij artistike. Pra, kështu ndërtohet vepra poetike, ajo që, nga një botë e thjeshtë, na del në fund një krijim i fortë. Poezia e tij është meditative dhe reflekton e paraqet realitetin tonë. Në vargun e poetit vërehet një stil i lehtë dhe ndjehet thellësia e botës krijuese poetike.

Kurse Sinan Sadiku, krijues e vlerësues nga Dardana, tha se, ky poet e ka krijuar individualitetin e vet poetik dhe njëherë në krijimtarinë e tij nuk gjejmë gjëra artificiale, libreske, moralizime bajate e të tjera. “Nuk gjejmë as folklorizëm e pompozitet, as deklarativizëm, as patetikë, as shtrirje, as didaktikë, as patriotizëm dhe heroizëm të shpifur, por gjejmë natyrshëm, meditim, ndjenjë, gjuhë poetike dhe art”.

Sinan Sadiku, duke folur edhe më tutje për vlerat e veprës atdhetare të A. Mustafës, ka shtuar: “Atdheu në poezitë e këtij krijuesi paraqitet ashtu siç është në të vërtetë, larg nga dëshira, nga shpresa dhe vizionet e tij, me plagë të shumta, të cilat shkaktojnë dhembje shpirti të ndjeshëm në subjektit lirik, dhembje këto që shpërfaqen në poezinë ë tij. Ndër poezitë më të realizuara të poetit në fjalë janë: “Balada për copat e një atdheu”,” Plaga e atdheut”.”Këtë verë”.”Balada për shokun e armës”,”Urrejtje”, “Degët e trungut tim”, “Në Rinas” e të tjera”.

Sinan Sadiku tha edhe këtë se, Aziz Mustafa hyn në rrethin e ngushtë të librave më të mirë të poezisë bashkëkohore shqipe. Në fund autori, Aziz Mustafa tha se, pas kësaj që u tha për veprën time, po e ndjej vetën edhe më kureshtar që të vazhdoj këtë rrugë krijuese, e cila ka zënë vend dhe s’po më hiqet dot nga mendja. “U falënderoj të gjithëve, sidomos këta që lexuan për veprën time, por edhe ata që gjetën kohë të jenë në këtë manifestim për librin tim.

Në një kohë të kaluar, para 17 vjetësh, kur e botova librin e parë, thash se, arti është këtu. Ai jeton në shpirtin tonë. Ne vetëm e shkruajmë dhe i japim fuqi, sepse kjo është vuajtja e brendshme jona që shpërthen dhe merr dhenë. Disa herë e kam pyetur vetën: çka fshehët në mua? Athua, si përjetohet kjo? Padyshim, i madhi poet shqiptar, Lasgushi, diku pat shtuar: “Më tepër terr, se lule…! Edhe unë nuk e shpëtova shpirtin pa këto ndjesi të jetës. Po vazhdoj rrugëtimin me poezi, sepse e dua se është pjesa ime e jetës…”, ka shtuar Aziz Mustafa, poet gjilanas. /Tefik Selimi/rajonipress/