Azemi: Jemi për mbrojtjen e sigurisë dhe pasurisë së qytetarëve, sepse e kemi obligim
Gjilan – ”Jemi për mbrojtjen e sigurisë dhe pasurisë së qytetarëve, sepse edhe e kemi obligim. Andaj edhe forcat kryesore policore do të jenë në shërbim të parandalimeve të aksidenteve, incidenteve dhe veprave penale. Nuk do të rrijm duarkryq ndaj të gjithë atyre që e shkelin ligjin, si ndaj atyre që hapin gropat, ndezin zjarre, apo që përdorin armë në dasma e ahengje tjera”, tha Remzi Azemi.
Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi në bashkëpunim me OSBE-në dhe Policinë e Kosovës, ka mbajtur takimin e radhës, me ç’rast edhe është diskutuar lidhur me masat preventive ndaj zjarreve, përdorimit të armëve në dasma, sigurimit të puseve dhe përroskave, me qëllimin të evitimit të çfarëdo rreziku për jetën dhe pasurinë e qytetarëve.
Majori Remzi Azemi, komandant i Stacionit Policor në Gjilan, takimin e vlerësoi të rëndësishëm. “Kemi bërë me kohë planet operative, madje kemi bërë edhe hapa konkret karshi sezonës verore duke vizituar pusetat që paraqesin rrezik jo vetëm për fëmijët, por edhe për të rriturit. Mandej kemi planifikuar numrin e zyrtarëve policorë dhe veprimet në teren si preventivë”, ka thënë Azemi.
Ai tha se tash në sezonen e verës rreziqet vijnë e shtohen duke kërkuar që sejcili duhet të jap kontributin e mundshëm, si institucionet kompetente, po ashtu edhe qytetarët.
“Tash në stinën e verë rritet shkalla e rreziqeve nga aksidentet, ujrat dhe zjarret ndaj të cilave duhet të jemi vigjilent dhe të shprehim aftësitë tona në aspektin preventiv. Duhet të kihet kujdes në komunikacion, ndaj fëmijëve që mund të ofrohen në vendet ku janë të rrezikuar nga uji, si dhe ndaj zjarreve, edhe përkundër masave preventive të Policisë së Kosovës”, tha tutje majori Azemi.
Sipas tij policia ka qasje serioze dhe konkrete për parandalimin e çfarëdo pasoje të mundshme.
”Jemi për mbrojtjen e sigurisë dhe pasurisë së qytetarëve, sepse edhe e kemi obligim. Andaj edhe forcat kryesore policore do të jenë në shërbim të parandalimeve të aksidenteve, incidenteve dhe veprave penale. Nuk do të rrijm duar kryq ndaj të gjithë atyre që e shkelin ligjin, si ndaj atyre që hapin gropat, ndezin zjarre, apo që përdorin armë në dasma e ahengje tjera”, tha ai./rajonipress/

