ARKATANA

“Avokatia e Pavarur” – Një udhërrëfyes i ri për drejtësinë moderne

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Pas një pune të gjatë kërkimore dhe një angazhimi të qëndrueshëm profesional, në duar të lexuesve shfaqet libri më i ri i autorëve Dr. sc. Mustafë R. Musa dhe Mr. sc. Jehona M. Musa – Sylejmani, me titull “Avokatia e Pavarur”. Ky botim shënon librin e tetë të autorit Mustafë R. Musa dhe vjen si një analizë e thelluar mbi rolin, funksionimin dhe peshën e avokatisë së pavarur në sistemin juridik bashkëkohor.

Në një kohë kur drejtësia kërkon zëra të fuqishëm, integritet të palëkundur dhe mendim të thelluar profesional, rrallë ndodh që këto vlera të mishërohen brenda një familjeje, duke u shndërruar në një trashëgimi të gjallë intelektuale. Ky është rasti i veçantë i dy juristëve, babë e bijë, të cilët jo vetëm kanë ndërtuar karriera të dalluara në shërbim të drejtësisë, por kanë krijuar edhe një model frymëzues të bashkëpunimit në fushën krijuese juridike.

Me përkushtim të gjatë dhe kontribut të çmuar në sistemin e drejtësisë, ata përfaqësojnë një ndërthurje të rrallë të përvojës dhe perspektivës së re, ku tradita profesionale takohet me qasjen bashkëkohore. Angazhimi i tyre nuk mbetet vetëm në praktikë, por shtrihet edhe në mendimin shkencor dhe botimet profesionale, duke dëshmuar se drejtësia nuk është vetëm profesion, por mision që kultivohet dhe përcillet ndër breza.

Ky “duel” i ideve dhe përvojave, larg çdo përplasjeje, është në thelb një dialog i pasur intelektual, ku dija, etika dhe vizioni për drejtësinë bashkohen për të sjellë kontribute të qëndrueshme në zhvillimin e mendimit juridik në vend.

Në thelb të këtij studimi qëndron trajtimi i dimensioneve teorike dhe praktike të profesionit të avokatit, duke e vendosur pavarësinë si shtyllë kyçe në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Përmes ndërthurjes së përvojës praktike me qasje moderne akademike, autorët ofrojnë një pasqyrë të strukturuar dhe profesionale, të dobishme për juristët, praktikuesit e drejtësisë, si dhe për publikun e gjerë.

Autori Dr. sc. Mustafë R. Musa thekson se ky botim është rezultat i viteve të tëra pune dhe reflektimi profesional mbi pavarësinë e avokatisë:
“Avokatia e pavarur është zëri i drejtësisë dhe mburoja e të drejtave të qytetarëve. Pavarësia është forca jonë, ndërsa drejtësia mbetet qëllimi ynë. Ky libër synon të ofrojë një qasje të thelluar mbi rolin e avokatit si garant i të drejtave themelore dhe si hallkë e pazëvendësueshme e një sistemi gjyqësor të drejtë dhe transparent.”

KKVITI

Në të njëjtën linjë, bashkautorja Mr. sc. Jehona M. Musa – Sylejmani vë në pah rëndësinë e këtij botimi në kontekstin e zhvillimeve bashkëkohore juridike:
“Ky punim vjen si një domosdoshmëri për t’i dhënë avokatisë së pavarur vendin e merituar në mekanizmin e drejtësisë. Synimi ynë është që libri të shërbejë si një udhërrëfyes profesional për juristët dhe studentët e së drejtës.”

Libri është vlerësuar lart edhe nga recensentët Bashkim Sylejmani dhe Abdylaziz Sadiku, të cilët e konsiderojnë atë një kontribut të rëndësishëm në fushën e së drejtës, si në aspektin teorik, ashtu edhe në atë praktik.

I strukturuar në nëntë kapituj, botimi trajton në mënyrë të gjithanshme organizimin dhe funksionimin e avokatisë, duke përfshirë aspektet historike, juridike dhe praktike të profesionit.

Përmes një analize të thelluar, autorët hedhin dritë mbi ndikimin e avokatisë së pavarur në sistemin e drejtësisë dhe në jetën e përditshme të qytetarëve, duke e pozicionuar atë si një element të pazëvendësueshëm të një shoqërie demokratike dhe të sundimit të ligjit./rajonipress/