Avokati Koci: Pezullohet dekreti për mandatarin Hoti

Avokati Arianit Koci ka thënë se Gjykata Kushtetuese ka pezulluar dekretin e presidentit Hashim Thaçi, ku ka mandatuar Avdullah Hotin si kandidat për kryeministër.
Koci ka pohuar se nuk kishte rrugë tjetër përveç pezullimit.
“U pezullu. S’kishte rrugë tjetër. Kosova s’po mundet me një qeveri e lëre më me dy. Gjykata Kushtetuese po e ndërton narracionin se Kosova është shtet normal me politikanë adoleshentë. Mos u ngutni, priteni njoftimin me shkrim. Le të mos kuptohet ky status si presion mbi asnjërën palë”, ka shkruar avokati në “Facebook”.
Ndryshe, LVV-ja gjatë ditës së djeshme i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar opinion ligjor për mandatarin, të cilin Thaçi ia dha LDK-së për formimin e qeverisë së re pas mocionit të mosbesimit, ku u rrëzua qeveria në krye me Albin Kurtin.