Avokati i popullit shfaq ambicie për të ndërmjetësuar krizën e UP-së

Avokati i Popullit Sami Kurteshi thotë se ka përcjell për së afërmi tash sa ditë rrjedhën e protestës para rektoratit të Universitetit të Prishtinës.
Në reagimin që ka bërë ai është kujdesur që të mos e fajësojë askënd për atë që po ndodhë ndërmjet policëve, protestuesve dhe organeve udhëheqëse të rektoratit.
“Gjendja e krijuar tregon shenja te dukshme të acarimit të mëtejmë dhe cenim të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Eskalimi i situatës në përleshje midis protestuesve dhe forcave policore, në hyrje të hapësirave ku ndodhet Rektorati, është i rrezikshëm, i dëmshëm dhe i papranueshëm” ka thënë ai.
“Situata e krijuar dhe konfrontimi i dhunshëm para Rektoratit janë produkt i mungesës së debatit të domosdoshëm të botës akademike. Lëndimi sotëm i dhjetëra protestuesve dhe policëve, është pasojë e drejtpërdrejtë e mungesë së këtij debati.Avokati i Popullit sugjeron që ky debat i zhvendosur në rrugë, të rikthehet brenda botës universitare, për të gjetur zgjidhje të pranueshme dhe në pajtim mestandardet universale akademike” thuhet në reagim.
“Bazuar në kompetencat kushtetues edhe ligjore, Avokati i Popullit shpreh gatishmërinë që të ndërmjetësojë për të tejkaluar ngërçin mes studentëve dhe organeve udhëheqëse të Universitetit të Prishtinës, nëse të dy palët pajtohen për këtë. Sido që të jetë, në gjithë këtë situatë është e domosdoshme vetëpërmbajtja e të gjitha palëve nga çdo veprim që çon në përkeqësim të gjendjes së krijuar” vazhdon reagimi i avokatit të popullit.