Avdullah Hoti del kundër PSD’së, kërkon zgjedhje e jo hyrje në ekipin dialogues të Qeverisë

Shefi i deputetëve të LDK’së, Avdullah Hoti, ka thënë se duhet të ketë zgjedhje e jo bashkëngjitje të opozitës në dialogun me Serbinë. Reagimi i Hotit ka ardhur pas propozimit të PSD’së se opozita duhet të bëhet pjesë e dialogut përmes votimit të Rezolutës në të cilën pozita dhe opozita bashkëkryesojnë dialogun.
“Vetëm zgjedhjet e reja sigurojnë legjitimitetin e atyre që e udhëheqin Kosovën dhe e përfaqësojnë në dialog. Kjo vlen edhe për PSD’në para se të bëhet pjesë e çfarëdo ekipi negociues”, ka shkruar Hoti, në një reagim në FB.
Pastaj, deputeti i LDK’së ka kontestuar fuqinë e Partisë së Shpend Ahmetit, e cila i ka 12 deputetë të fituar në kohën sa ishin pjesë e Vetëvendosjes.
“PSD’ja duhet përmes zgjedhjeve të reja të verifikojë 12 mandatet që ka në Kuvend. Ngase janë mandate të fituara nga një parti tjetër. Vlerësoj se verifikimi i legjitimitetit është i domosdoshëm për qëndrueshmërinë e demokracisë në Kosovë dhe të PSD’së gjithashtu”, ka shtuar ai.
Edhe Nënkryetari i LDK’së, Lufti Haziri ka thënë se vazhdojnë të favorizojnë shkuarjen në zgjedhje para një opsioni tjetër – bashkimin me pushtetin – në dialogun me Serbinë.
“LDK e ka favorizu një marrëveshje për zgjedhje të hershme parlamentare gjatë gjithë verës. Ne e favorizojmë mocionin përpara bashkimit në dialog”, ka thënë Haziri, për Express, të dielën.
Express ka shkruar sot se Partia e katërt në Kosovë, PSD, po synon ta përfshijë në dialogun me Serbinë edhe Partinë e Isa Mustafës dhe atë të Albin Kurtit.
Partia Socialdemokrate ka dërguar një Projektrezolutë me të cilën synon që opozitës t’ia japë gjysmën e pushtetit në dialogun me Serbinë kurse gjysmën tjetër pushtetit. Ka propozuar bashkëkryesues të dialogut.
“Delegacioni Shtetëror do të bashkë-drejtohet barabarësisht prej (dy) përfaqësuesve që vijnë nga radhët e opozitës parlamentare dhe nga koalicionit qeveritar. Një përfaqësues nga shoqëria civile do të jetë anëtar i rregullt i Delegacionit Shtetëror”, thuhet në propozimin e PSD’së dërguar Kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, Nënkryetarëve dhe Shefave të grupeve parlamentare.
Aktualisht, dialogu final me Serbinë ka filluar ndërmjet Presidentit Hashim Thaçi dhe homologut të tij serb, Aleksander Vucic.
Qeveria e Kosovës ka propozuar një ekip dialogues me në krye Fatmir LImajn, i cili ka refuzuar të nisë punën pa e bërë pjesë edhe opozitën.
Zyrtarët e Kosovës dhe të Serbisë kanë thënë se kjo është faza finale e dialogut në të cilën do të ketë një Marrëveshje finale.
Deri më tash, Presidenti Thaçi ka thënë se do të ketë korrigjim dhe ndryshim të kufijve, njohje të Kosovës dhe anëtarësim në OKB. Madje, ka thënë se Kosovës do t’i bashkohet edhe Lugina e Preshevës.
Pala serbe kanë thënë se në kuadër të dialogut do të zyrtarizojnë marrjen e Veriut të Kosovës.
Situata është komplikuar edhe më shumë pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për t’iu vendosur taksë 100 për qind produkteve serbe. Pas kësaj, Serbia ka thënë se nuk do të ketë dialog derisa është në fuqi kjo masë.
Ndërkohë, në katër komunat veriore, Kryetarët e Komunave kanë dhënë dorëheqje, duke krijuar një situatë të re, në të cilën pritet të shpallen zgjedhjet bazuar në Ligj dhe Kushtetutë.
Veç kësaj, të premten mbrëma, Kryeministri Ramush Haradinaj paralajmëroi se nëse rrëzohet Qeveria bashkë me te në shtëpi do të shkojnë edhe Kadri Veseli dhe Presidenti Hashim Thaçi.PDK i reagoi Kryeministrit duke i thënë se s’ka nevojë të frikësohet nga rrëzimi sepse ende e përkrahë.