UBT

Avancimi i gjuhës shqipe do të bëhet në mandatin tjetër!

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Problemi i anashkalimit të gjuhës shqipe nëpër institucionet shtetërore të Maqedonisë nuk do të zgjidhet as brenda këtij mandati të qeverisë së koalicionit mes VMRO-DPMNE dhe BDI-së.

Kreu i partisë shqiptare në pushtet, BDI-së, Ali Ahmeti, i pyetur nga Alsat M rreth interpretimeve ndryshe të çështjes së gjuhës me partnerët e koalicionit, ka thënë se zgjidhja e këtij problemi mund të pasojë në mandatin e ardhshëm pasi siç u shpreh ai, ky nuk ka qenë fokusi kryesor gjatë këtij mandati qeverisës.

Sipas Ahmetit, çështja e gjuhës është proces për të cilin duhet kohë dhe durim. “Gjuha shqipe është në proces të mbarë dhe gjuha shqipe sipas Kushtetutës dhe Marrëveshjes së Ohrit është gjuhë zyrtare dhe në Maqedoni dhe në asnjë vend nuk ka gjuhë të parë dhe gjuhë të dytë por ka vetëm gjuhë zyrtare dhe gjuha shqipe është zyrtare por është në proces dhe në mandatin e ardhshëm sigurisht që kjo çështje përfundimisht do të mbyllet. Proceseve u duhet kohë, angazhim dhe durim”,ka thënë lideri i BDI-së.

KKVITI

Ahmeti ka thënë se fokusi i partisë së tij gjatë këtij mandati ka qenë arritja e marrëveshjes për interpretimin autentik të Ligjit për amnisti, pasi siç u shpreh, bashkë me shokët e tij ka qenë personalisht i prekur nga kjo çështje. “Prioritet në këtë mandat ka qenë çështja e amnistisë, sepse amnistia ka qenë një nga problemet që më ka preokupuar mua personalisht dhe shumë personalitete të jetës publike dhe politike në vend, sepse ishte një problem që mund të shkaktonte edhe tensione edhe pakënaqësi dhe mund të vinte deri te një thellim hendeku mes dy komuniteteve më të madha”, ka thënë ish-lideri i UCK-së në Maqedoni.

Përkundër përfaqësimit jo të drejtë dhe adekuat të shqiptarëve nëpër institucione dhe në kohën kur shqiptarët vazhdojnë të hasin në probleme të ndryshme në institucione që nuk përfillin as ligjet e as Kushtetutën, Ahmeti shprehet i kënaqur me nivelin e përfaqësimit të arritur deri më tani. Sipas tij, nga viti 2008-2011 janë punësuar rreth 9000 administratorë shqiptarë, duke harruar në këtë rast të përmend se sa fish më i madh është numri i maqedonasve të punësuar në këtë periudhë kohore. Sipas raportimeve të fundit, rezulton se në po të njëjtën periudhë të jenë punësuar diku rreth 45 mijë maqedonas. /Telegrafi/